Dëgjohet edhe një dëshmitare në gjykim për manipulime me avanset e tërhequra nga zyrtarët e AKPPM-së.

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

14:10 / 10 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelorë në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor me dëgjimin e një dëshmitari, në rastin ku Mendim Sojeva dhe Ganimete Ahmeti po akuzohen se kanë manipuluar me avanset e tërhequra të AKPPM-së, raporton Drejtësia Sot.

Prokuroria Speciale akuzon Mendim Sojevën dhe Ganimete Ahmetin, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” dhe veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”, duke manipuluar me avancat për udhëtime të zyrtarëve të AKPPM-së.

Në seancën e sotshme u dëgjua dëshmitarja Dh.A., e cila gjatë periudhës kur dyshohen se të akuzuarit kishin kryer veprat penale, ishte zyrtare shpenzuese në AKPPM.

Gjatë dëshmisë së saj e njëjta ka theksuar, se si zyrtare shpenzuese ka bërë të gjitha shpenzimet në kuadër të detyrave të saj, përveç shpenzimeve për avanse, e të cilat asnjëherë gjatë punës së saj nuk kishte regjistruar si shpenzime avanset.

E ndërsa edhe pse figuron se me ID-në e saj gjatë periudhës 2014-2017 janë regjistruar shuma të mëdha (mbi 500 mijë euro) të shpenzimeve për avanse, e njëjta ka deklaruar se asnjëherë nuk ka bërë regjistrime të tilla, dhe as nuk ka qenë në dijeni se janë regjistruar në sistem këto shpenzime. Po ashtu nuk ka ditur se nga kush janë regjistruar këto shpenzime për avanse, përmes numrit të ID-së së saj.

E në rastet kur pasur probleme me sistemin SIMFK, dëshmitarja është deklaruar se ndonjëherë është konsultuar me të akuzuarin Mendim Sojeva.

Me përfundimin e dëshmisë së dëshmitares Dh.A, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili ndërpreu shqyrtimin gjyqësorë dhe caktoi datën 16 dhjetor 2021 me fillim në orën 9:30 për shqyrtimin e rradhës, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët F.K dhe B.Z.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special Haki Gecaj, i pandehuri Mendim Sojeva si person zyrtar, në vazhdimësi, në periudhën kohore prej vitit 2014 deri në fund të muajit mars 2018, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë e luajtshme, paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare për zyrtarët e AKPPM-së, të cilat të pandehurit i janë besuar në menaxhim sipas pozitës së tij në kuadër të AKPPM-së.

Kështu, i pandehuri gjatë asaj periudhe kohore, në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, nga llogaria bankare e Ministrisë së Shëndetësisë, nga shuma e përgjithshme prej 1,355,441.14 €, të tërhequra nga zyrtari i MSH-së, F.K, e të cilat i ka pranuar i pandehuri Mendim Sojeva, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit e për shumën prej 1,221,501.14 €, nuk ka asnjë dëshmi në AKPPM, se janë respektuar procedurat për tërheqje.

Poashtu, të pandehurit Mendim Sojeva dhe Ganimete Ahmeti, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, prej datës 07.02.2018 deri më 12.02.2018, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në bashkëkryerje, në mënyrë të paautorizuar, përmes ueb shfletuesit (Internet Explorer) kanë hyrë në sistem kompjuterik SIMFK, të personave zyrtar të Ministrisë së Financave-Thesarit.

Të njëjtit, në kompjuterin e regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë, duke keqpërdorur User-at (fjalëkalimet) e personave të tjerë, zyrtarë të Thesarit, të pandehurit ju kanë qasur sistemit SIMFK, kanë mbyllur avancat duke bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtar të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017, ne emër te zyrtarëve të AKPPM-së.

Kësisoj, me User në emër të B.M, më 07 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 15 (pesëmbëdhjetë) kuponë shpenzimi në vlerë prej 20,850.00 €, ndërsa në emër të I.Sh., gjatë periudhës 08-12 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare shtatëdhjetedy (72) kuponë shpenzimi në vlerë prej 154,736.84 €, në shumë të përgjithshme prej 175,586.84€, e të gjitha të certifikuara me User të M.S.

Ashtu që, janë munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga banka NLB, në emër te zyrtarëve të AKPPM, në kundërshtim me dispozitat ligjore e për të cilat nuk disponohet me dokumentacion në AKPPM, për arsyeshmërinë dhe lejimin e tërheqjes së tyre.

Me këto veprime, sipas PSRK-së, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1, të KPRK-së dhe veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” nga neni 339 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani