Dëgjohet edhe një dëshmitar në rastin ku zyrtari policor akuzohet për manipulime me tenderin për furnizim me rroba

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

14:49 / 18 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është dëgjuar anëtari i Komisionit Vlerësues të tenderit, dëshmitari N.L., në rastin ku zyrtari policor Jeton Menxhiqi, po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Menxhiqi po akuzohet se si anëtar i komisionit – përfaqësues i Drejtorisë së Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në tenderin “Furnizim me Roba Elegante”, i ka mundësuar një kompanie në mënyrë të kundërligjshme përfitim në vlerë rreth 500 mijë eurosh.

Dëshmitari N.L., tregoi në detaje procesin e vlerësimit të operatorëve ekonomik për tenderin në fjalë. Ai theksoi se ishte rregull që procesi i vlerësimit të bëhet në prani të gjithë anëtarëve të Komisionit. Tutje i njejti kujtoi një moment kur i akuzuari Menxhiqi, kishte biseduar me të jashtë komisionit, duke i thënë se një nga operatorët ekonomik kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe kishin biseduar për ofertën që ai e ka ofertuar. I njejti i kishte thënë se duhet me i ndrru disa mostra pasiqë ishte bërë një gabim teknik në përqindje të materialeve, ngase sipas operatorit materiali ishte sipas ofertës së kërkuar. 

Dëshmitari shtoi se përgjigjia e tij ishte se kjo është shkelje dhe nuk duhet bërë një gjë e tillë pasiqë e rrezikon vendin e punës dhe ka pasoja ligjore. Tutje theksoi se në njërën nga ato ditë i akuzuari Menxhiqi kishte pas një qantë të madhe me vete në komision, gjë e cila i ishte dukur shumë e çuditshme. 

Tutje dëshmitari shtoi se një ditë pas pauzës kur ishte kthyer për të punuar në Komision i kishte parë dy anëtarët e tjerë të komisionit, të akuzuarin Menxhiqi dhe kryetaren e komisionit S.B., duke kontrolluar mostrat dhe kishin filluar me laps kimik të përmirësonin raportet që i kishin finalizuar bashkë. Të njejtit ishin deklaruar se ishte bërë një gabim, mirëpo që për dëshmitarin N.L., kjo situatë ishte shumë e dyshimtë dhe kishte kërkuar nga kryetarja të fotokopjohen të gjitha dokumentet e bëra deri më tani, ishte tërhequr nga komisioni dhe të nësërmen me anë të një raporti të detajuar kishte paraqitur rastin para eprorit të tij. 

Dëshmitari shtoi se gjatë situatës së krijuar atë ditë në komision, gjendja ishte tensionuar dhe i akuzuari Menxhiqi kishte filluar të qajë e kishte kërkuar që të mos e bëntë të madhe këtë punë ngase nuk e din askush përvec tij dhe personit E.H. Mirëpo dëshmitari N.L., theksoi se e kishte adresuar çështjen tek eprori i tij sepse e ndiente për obligim të ruante buxhetin e Policisë së Kosovës. Ndërkaq që më nuk është interesuar në lidhje me këtë çështje. 

Me të përfunduar dëshminë e tij, gjyqtarja Alltene Murseli ndërpreu seancën për ta caktuar të radhës me datë 14 dhjetor me fillim nga ora 09:00, ku pritet të dëgjohet dëshmitari E.H.

Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurorja Fitore Sadiku, i pandehuri Jeton Menxhiqi, me datë 08 gusht 2017, në Prishtinë, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me Roba Elegante”, i cili përfaqësonte Drejtorin e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Aktakuza thotë se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin e lartëcekur, i paraparë në vlerë prej 730 mijë euro, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri, S.B. dhe N. L., pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga Operatorët Ekonomik nga (8) tetë sa kishin konkuruar nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur Operatorit Ekonomik ”Artius Group SHPK” ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, me datë 08 gusht 2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre merr çelësin dhe në mënyrë të kundërligjshme pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit shkon ne Zyrën e Prokurimit, ku merr paketën e duke vepruar në këtë mënyrë “Artius Group” ndërron mostrat e Rrobave Elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në zyrën e Prokurimit.

I pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 506.216.20 euro.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Donjeta Pllana.