Hetues të Policisë së Kosovës nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, dje me datë 10.11.2021, kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet Sh.B, nën dyshimin për mashtrim dhe falsifikim të dokumentit, raporton Drejtësia Sot.
Sipas komunikatës së Policisë, pas shumë veprimeve hetimore-operative dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente kanë arritur të sigurojnë informata në lidhje me aktivitetin kriminal, ku dyshohet se Sh.B., ka falsifikuar dokumentin – Aktin Noterial “Autorizimin” për shitblerje të pronës në vlerë rreth 800.000,00 € (tetëqind mijë euro).
Sipas autoriteteve policore, Sh.B., kishte pretenduar se i njëjti dokument është noterizuar nga një Noteri në Prizren dhe me autorizim të falsifikuar ka tentuar të lidh kontratë te një Noteri tjetër në Prishtinë, për shitblerjen e pronës në vlerë rreth 800.000,00 euro me blerësin (viktimën) me iniciale A.H.
Tutje, sipas komunikatës, pas verifikimit dhe kontaktit me kompetentët është konstatuar që bëhet fjalë për një autorizim të falsifikuar, me ç ‘rast janë vënë në dijeni autoritetet për veprimet e dyshuara si të kundërligjshme.
Hetuesit policor për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në rajonin e Prishtinës, pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme profesionale hetimore kanë siguruar dëshmi relevante nga kompetentët, duke konfirmuar se prona e cila ka qenë objekt i shit-blerjes (është në pronësi të dikujt tjetër dhe jo të personit që ceket në autorizimin e falsifikuar) dhe me këtë dëshmohet dyshimi i kryerjes së veprës penale.
Hetuesit kanë siguruar prezencën e personit të dyshuar i cili është intervistuar dhe mbi bazën e këtyre dëshmive është krijuar dyshimi se më këto veprime i dyshuari me iniciale (Sh. B.) dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në konsultim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datë 10.11.2021, i dyshuari është shoqëruar në Polici dhe me vendim mbi ndalimin, është dërguar në mbajtje 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus