Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it të akuzuar për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

13:20 / 17 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata e Apelit, ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it të akuzuar për marrje ryshfeti ndërsa ka anuluar aktgjykimin dënues ndaj avokatit të ngarkuar me veprën e frikësimit gjatë procedurës penale, raporton Drejtësia Sot.

Gjykata Themelore e Pejës, me datën 24 maj 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it, Gëzim Gashit dhe Bekim Thaqit të akuzuar për marrje ryshfeti, pasi që nuk ishte provuar që të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin.

Ndërsa në të njëjtin aktgjykim, të akuzuarit për frikësim gjatë procedurës penale Murat Krasniqit, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, dënim me gjobë në shumën prej 200 euro, si dhe dënimin plotësues “Ndalimi ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”, në kohëzgjatje prej 1 viti.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Apelit ka konstatuar njëjtë sikur Drejtësia Sot, në analizën e publikuar për këtë rast , se Gjykata Themelore e Pejës ka vepruar drejtë kur kishte vlerësuar se të gjitha provat e nxjerra nga masat për fotografim të fshehtë ose vëzhgim me video në vende publike dhe masa për simulimin e veprës penale të korrupsionit ishin të papranueshme.

Kjo për shkak se urdhri verbal i lëshuar nga Prokuroria e Pejës për zbatimin e masave të fshehta të hetimit kishte mbetur pa efekt juridik pasi që nuk ishte konfirmuar nga Gjykata e Pejës. Për më tepër në këtë vendim thuhet se prokuroria urdhrin verbal e ka konfirmuar vet me shkrim, përkundër faktit që ligji e parasheh si kompetencë të gjyqtarit të procedurës paraprake e jo të prokurorisë.

Ndërsa sa i përket anulimit të aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit Murat Krasniqi, Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, meqenëse është i paqartë në brendi ndërsa në arsyetim nuk janë dhënë arsyet të plota dhe të qarta për faktet vendimtare.

Sipas kolegjit të Apelit, arsyetimi i aktgjykimit të atakuar nuk është e qartë se si i akuzuari e ka përdorur kanosjen në të dëmtuarin që ta nxis të mos jep informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë, në bazë të cilave fjalë është bërë ajo kanosje si dhe sa i përket ofrimit të shumës prej 1000 euro viktimës dhe mënyrën e pagesës së tyre.

Kësisoj edhe është marrë vendim për anulimin e kësaj pjese të aktgjykimit dhe kthimin e saj në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës Gëzim Gashi dhe Bekim Thaqi, akuzohen se me datë 02 dhjetor 2019, si persona zyrtar-teknik për kontrollin e humbjeve në kompaninë KEDS, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej dyqind (200) euro ryshfet.

Ndërsa Murat Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e avokatit të të akuzuarit Bekim Thaqi, me datë 03 dhjetor 2019, pasi e kanosë të dëmtuarin F.U., të njëjtit i ofron dhuratë në shumën prej një mijë (1000) euro, më qëllim që ta ndryshoj deklaratën e dhënë në polici, si dhe që të dëshmoj rrejshëm në Prokurori e Gjykatë, kinse i akuzuari Bekim nuk ka të bëj fare më veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Drejtësia Sot, e ka monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij rasti

Monitoruese: Blerta KELMENDI