Apeli vërteton aktgjykimin dënues ndaj ish-inspektorit të Kamenicës, i akuzuar për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:54 / 18 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Gjilan ndaj ish-inspektorit të Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, i akuzuar për “marrje ryshfeti”, ndërsa ka refuzuar ankesat e Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarit, raporton Drejtësia Sot.

Gjykata Themelore në Gjilan, të akuzuarin Dërmaku për veprën penale “marrja e ryshfetit” e kishte gjetur fajtor pesë herë me rradhë. Kjo gjykatë së pari në Prill të vitit të 2018, së dyti në Janar 2019, së treti në Nëntor të vitit 2019, së katërti në Qershor të vitit 2020, dhe së pesti në Prill të vitit 2021, të njejtit i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 15 muajve, dënim me gjobë në shumën 300 Euro, si dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim. 

Kjo çështje penale është kthyer në rigjykim në shkallën e parë katër herë me rradhë nga Gjykata e Apelit, e cila gjykatë i ka anuluar këto vendime, për shkak të shkeljeve procedurale.

Të pakënaqur me vendimin e pestë të muajit Prill, Prokuroria Themelore në Gjilan dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadullah Dërmaku, avokati Shemsedin Piraj, i janë drejtuar me ankesa Gjykatës së Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur ankesë për shkak të vendimit mbi dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i rëndë me burgim se sa që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë.

Në anën tjetër, avokati Piraj ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet nga akuza e prokurorisë ose të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

Gjykata e Apelit ka shqyrtuar çështjen dhe me vendimin e datës 29 tetor, 2021 ka gjetur se pretendimet ankimore të prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit, nuk janë të bazuara.

Në vendimin e Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë, ka bërë vlerësimin dhe analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke i paraqitur lidhur me këto përfundimet e veta, të cilat si të drejta e të ligjshme i aprovon edhe kjo gjykatë. 

Ndër të tjera, në vendim thuhet se të pabazuara janë edhe pretendimet ankimore se gjykata e shkallës së parë, ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale kur nuk ka respektuar parimin “reformatio in peus”, ngase me rastin e anulimit të aktgjykimit të ankimuar në rastet e mëhershme, i akuzuari ka qenë i shpallur fajtor për veprën penale në fjalë, për ndihmë në marrjen e ryshfetit, ndërsa, tani e ka shpallur fajtor për veprën penale marrja e ryshfetit, pretendime këto që sipas kësaj gjykate janë të pabazuara. 

Në bazë të shikimit të dispozitivit por edhe arsyetimit të aktgjykimit të mëhershëm, rezulton se pa dyshim që bëhet fjalë për vepër penale të marrjes së ryshfetit e jo për ndihmë në marrjen e ryshfetit, sikur që pretendohet nga mbrojtësi i të akuzuarit, mirëpo, tek emërtimi ligjor i veprës penale, pra tek aktgjykimi i mëhershëm, gjykata e shkallës së parë, e ka shënuar gabimisht tek emërtimi ligjor i veprës penale, se bëhet fjalë për vepër penale ndihmë në marrjen e ryshfetit, gjë që, duke pasur parasysh se logjikisht nuk mund të flitet për një vepër të tillë, kur në tërë ngjarjen ka marr pjesë vetëm i akuzuari dhe i dëmtuari e jo edhe ndonjë person tjetër ndërmjetësues, atëherë vetëkuptohet se është fjala vetëm për gabim teknik, për çka, një lëshim i tillë mund të eliminohet edhe vetëm me një aktvendim për përmirësim të aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë, thuhet në arsyetimin e vendimit të Apelit. 

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e ngritur me datën 10 nëntor 2017, Sadullah Dërmaku akuzohet për veprën penale “marrje e ryshfetit”, sepse me datën 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit B.Sh, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat i ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi