Kolegji Special i Gjykatës së Apelit, sërish ka shqyrtuar ankesat në rastin ndaj Zllatan Krstiç dhe Destan Shabanaj të akuzuar për krime lufte në Nerodime të Epërme, raporton Drejtësia Sot.
Kryetari i trupit gjykues Burim Ademi, me të filluar seancën njoftoi palët se arsye për ricaktimin e kësaj seance ishte ngase gjyqtari Vaton Dërguti kryetar i mëhershëm i këtij shqyrtimi, kishte marrë pjesë në procedurat e mëhershme në këtë çështje penale. Seanca vazhdoi me referimin e rastit në pika të shkurta nga gjyqtarja referuese Afërdita Bytyqi.
Kujtojmë se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte shpallur fajtorë Zllatan Krstiç dhe Destan Shabanaj për krime lufte gjatë periudhës të vitit 1999 në Nerodime te Epërme të Komunës së Ferizajit, duke ju shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 21 vite e 6 muaj burgim.
Ankesë ndaj këtij vendimi kishin paraqitur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke i propozuar shkallës së dytë që ndaj të dënuarve të shqiptoj dënim më të lartë. Ankesën e njejtë e kishte parashtruar edhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara në këtë proces. Propozimet e tilla në tërësi i kishte mbështetur edhe Prokuroria e Apelit.
Ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë kishte paraqitur edhe avokati Dejan Vasic, mbrojtës për të akuzuarin Zllatan Krstic, për shkak të shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe sanksionit penal. Sipas tij aktgjykimi i shkallës së parë nuk është arsyetuar mjaftueshëm, por vetëm është cekur fjala përfundimtare e mbrojtjes dhe janë refuzuar si të pabazuara të gjitha pretendimet e tyre. I njejti kishte cekur se për asnjë moment nuk ishte vërtetuar përfshirja direkte e të mbrojturit të tij në ditën kritike, duke theksuar se kontributi i tij në këtë ngjarje nuk duhet të supozohet por duhet të arsyetohet. Poashtu i njejti ne ankesë kishte shprehur paknaqësi sa i përket kualifikimit juridik të veprës penale.
Ankesë për të gjitha bazat kishin paraqitur edhe avokati Mentor Haziri, mbrojtës për të akuzuarin Destan Shabanaj, i cili poashtu ka kërkuar që si provë materiale të administrohet edhe deklarata e ish-gjyqtares hetuese në këtë çështje penale. I njejti theksoi edhe kualifikimin juridik të veprës penale duke theksuar se nuk është aplikuar drejtë asnjë dispozitë ligjore e aq më pak Konventat e Gjenevës në të cilën është thirrur gjykata e shkallës së parë. Në këtë drejtim kërkoi nga shkalla e dytë që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, ose në rast të kthimit të kësaj çështje penale të rigjykim të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.
Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, trupi gjykues mbylli seancën dhe njoftoi palët se vendimin do ta pranojnë brenda afatit sa më të arsyeshëm nëpërmjet gjykatës së shkallës së parë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi, i akuzuari Z.K. akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Z.K. me datë 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht të 19 anëtarëve të një familje që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.
Ndërsa i akuzuari D.Sh, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civil, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt (IV) të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, në ndërlidhje me Protokollet Shtesë për katër Konventat e Gjenevës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari D.Sh, me 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N. dhe I.R., të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.
E me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me nenin 146 si Krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevë
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana.
Lajmet në fokus