25 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës

Gjykata Themelore , Gjakove

Monitoruar nga Qëndresa Bytyqi

14:25 / 25 Nëntor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë-Departamentin e Krimeve të Rënda, është shpallur fajtor i akuzuari C.I., raporton “Drejtësia Sot”.

C.I., nga ana e Prokurorisë së Gjakovës, po akuzohet se për motive të panjohura e ka vrarë personin N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës, si dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Me të filluar seanca, gjyqtari Drilon Haraçia njoftoi se ndaj të akuzuari C.I., ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 22 vite për veprën penale të vrasjes së rëndë, 4 vite për veprën penale të vrasjes në tentativë dhe 6 muaj për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Nën këto rrethana, gjyqtari Haraçia të akuzuarit C.I., i ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 25 vite burgim, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, Gjykata e Apelit në Prishtinë, më 16 gusht 2021, e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit C.I., i ngarkuar për veprat penale vrasje e rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor. Kjo ngase Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar të akuzuarin C.I., me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Kurse, të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë ankesë në Gjykatën e Apelit, kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbrojtësi i të akuzuarit C.I., avokat Meshari Selimaj si dhe përfaqësuesit e autorizuar të palës së dëmtuar, avokatët Ndrec Dodaj dhe Prek Kola.

Kështu, Apeli pas vlerësimit të ankesave dhe sipas detyrës zyrtare kishte gjetur se ankesa e mbrojtësit të akuzuarit C.I., avokat Meshari Selimaj është e bazuar, si dhe aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq, komuna e Gjakovës, i pandehuri C.I., me dashje, ka privuar nga jeta N.M., në shtëpinë e tij, ku përderisa i ndjeri ishte në dhomën e gjumit, i pandehuri e merr në kuzhinë një thikë e një çekan hekuri, ku e përdorë për ta hapur derën e dhomës, dhe e godet atë me thikë disa herë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Me këto veprime i pandehuri C.I., ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Gjithnjë sipas aktakuzës në dhomën e gjumit kishte qenë prezent edhe bashkëshortja e tij, D.M, ku i pandehuri e godet edhe atë me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Tutje, i akuzuari kishte shkuar edhe në dhomën tjetër ku ishte prezent djali i viktimës, M.M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime i pandehuri C.I., ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

    Monitoruese: Qendresa Bytyqi.