Sot vazhdon gjykimi për krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerëve

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

08:06 / 11 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar ditën e sotme për vazhdimin e gjykimit ku i akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, është ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 persona të tjerë, raporton Drejtësia Sot.

Konfirmimin e këtij lajmi për Drejtësia Sot, e ka bërë zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti. Sipas Zhutit, seanca e datës 11 tetor 2021, do të mbahet në amfiteatrin e Ministrisë së Drejtësisë, në Prishtinë dhe pritet të fillojë në orën 09:30.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Pejës për mbajtjen e seancave në amfiteatrin e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtësia Sot, ka publikuar një analizë përmes të cilës iniciativën e kësaj gjykate e sheh si sinjal pozitiv në procedimin pa zvarritje të rasteve që kanë numër më të madh të të akuzuarve.

Kujtojmë se në seancën e kaluar ka përfunduar administrimi i provave materiale dhe aktualisht rasti gjendet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve.

Vlen të përmendet se trupi gjykues në këtë çështje penale përbëhet nga gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj, e cila ka cilësinë e kryetares së trupit gjykues, ndërsa gjyqtarët Murat Hulaj dhe Armend Mustafaj, kanë cilësinë e anëtarëve.

Sipas aktakuzës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e bizneseve të cekura në aktakuzë.

Më tutje, aktakuza sqaron veprimet e të akuzuarve, ku ndër të tjera thuhet se Qemajl Mustafa dhe të tjerët akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje kanë marrë pjesë në aktivitetet kriminale të keqpërdorimit, me dhënien e tenderëve fitimprurës kompanive, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve, etj, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.

Drejtësia Sot, në vazhdimësi e ka monitoruar rrjedhën e këtij rasti.

Monitoruese: Blerta KELMENDI.