Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit për mbrojtje dhe ndihmë të viktimave, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

13:34 / 22 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Për shkak të mungesës së një anëtari të trupit gjykues, prokurorit si dhe dy dëshmitarëve, sot ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj zyrtarit mbikëqyrës të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, A.P., raporton Drejtësia Sot.

Me të filluar gjykimi i së premtes, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, Alban Ajvazi, njoftoi se në këtë seancë mungon anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla, prokurori i rastit, Zejnullah Gashi si dhe dy dëshmitarët me inicialet A.P. dhe M.P.

Sa i përket mungesës së gjyqtarit Syla dhe prokurorit Gashi, kryetari i trupit gjykues njoftoi se të njejtit janë bashkarisht në një seancë dëgjimore për caktimin e paraburgimit për një rast tjetër, prandaj edhe nuk mund të marrin pjesë në këtë shqyrtim gjyqësor.

Ndërsa sa i përket dëshmitarëve, ai tha se të njejtit mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar edhe pse kanë qenë të njoftuar nga seanca paraprake për këtë gjykim. Gjyqtari Ajvazi theksoi se nëse ata nuk e arsyetojnë mungesën e tyre në afat prej 3 ditësh, për seancën e ardhshme do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim nga ana e policisë.

Në këtë seancë gjithashtu mungoi pala e dëmtuar me inicialet F.P si dhe avokati i cili e përfaqëson atë.

Nën këto rrethana për shkak të mungesës së kushteve ligjore seanca e sotme nuk u mbajt, ndërsa ajo e radhës u caktua për datën 25 nëntor 2021.

Kujtojmë se Drejtësia Sot, kishte raportuar se me 10 shkurt 2021, Departamenti i Krimeve të Rënda, i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1500 euro, të pandehurit A. P., për shkak se i njëjti kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare. Dënimi i tillë kishte ardhur me rastin e pranimit të fajësisë nga i pandehuri A. P.

Fillimisht, gjyqtari i rastit Alban Ajvazi, të pandehurit A. P., i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve e që me pëlqimin e të akuzuarit ky dënim ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën e lartcekur.

Ndërsa ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, prokurori i rastit kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ku kishte kërkuar dënim më të lartë dhe shqiptim të dënimit plotësues për A.P., duke theksuar se gjykata themelore gjatë matjes së dënimit kishte marrë parasysh vetëm rrethanat lehtësuese.

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e prokurorisë, me vendimin PAKR.nr. 101/2021 të datës 24.05.2021 ka kthyer lëndën në rigjykim.

Kujtojmë se Njësiti për Krime Ekonomike brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 8 shkurt 2021, ka ndaluar A.P. për 48 orë, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këtë rast, Gjykata kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit, pasi që i akuzuari e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Zejnullah Gashi, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në vitin 2018, rreth orës 17:00 në lokalin “Edona” në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar- përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij dhe nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare, nuk ndërmerr veprime zyrtar që është i detyruar të ndërmarr me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për vete.

Sipas aktakuzës, ai në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës kërkon nga ana e vëllait të të dëmtuarës F. P., shumën prej 3000 mijë euro në formën e borxhit, me që rast e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk kanë pas shumën prej 3000 mijë euro, por ajo i ka dhënë të pandehurit përmes vllaut të saj shumën prej 1400 euro për blerjen e një veture, ndërsa në një rast tjetër 90 euro për shërimin jasht vendit të djalit të të pandehurit, si dhe përfitime tjera si mbushjen e automjetit me karburant e pagimin e drekave e darkave.

Me këto veprime A. P. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi