Shtetasi turk dënohet me 500 Euro gjobë për dhënie ryshfeti

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Qendresa Ismaili

13:44 / 15 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Ferizajit, sot u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj shtetasit turk Muharrem Baglibel i akuzuar për dhënie ryshfeti, raporton Drejtësia Sot.

Muharrem Baglibel akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për veprën penale “Dhënie Ryshfeti”, duke ofruar para personave zyrtarë në vendkalimin kufitar Hani Elezit.

Në seancën e sotshme i akuzuari Muharrem Baglibel është deklaruar fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, shpalli aktgjykimin me të cilin dënoi Muharrem Baglibel me gjobë prej 500 Euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurori Rasim Maloku, Muharrem Baglibel akuzohet se me datën 31 Mars 2021 në vendkalimin kufitar Hani Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ofruar para personave zyrtar me qëllim që të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Aktakuza sqaron se i pandehuri Muharrem Baglibel me rastin e hyrjes ne pikën e kontrollit me kamionin e markës IVECO, gjatë dorëzimit të pasaportës tek zyrtari policer i ka dhënë një kartëmonedhë prej 10 Euro, dhe gjithashtu ka vepruar njejtë me dorëzimin e dokumentacionit për ç’doganim të mallit te zyrtari doganor duke i dorëzuar 10 Euro.

Me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie Ryshfeti” nga neni 422 par 1 I KPRK-ës.

Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili