Shqiptim i gabuar dhe pa afat të përcaktuar i dënimit plotësues nga Gjykata e Pejës

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Blerta Kelmendi

13:46 / 15 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Kuptimi dhe qëllimi i shqiptimit të dënimeve plotësuese jo çdo herë ka qenë i lehtë për tu kuptuar dhe zbatuar nga gjyqtarët. Shpeshherë janë raportuar raste që përkundër faktit se ka qenë i obligueshëm shqiptimi i dënimit plotësues një gjë e tillë nuk është bërë. Në ndërkohë Drejtësia Sot, ka hasur raste në të cilat shqiptimi i këtyre dënimeve është bërë në formë të gabuar për shkak të mos kuptimit të qëllimit që kanë dënimet plotësuese konkrete që si rrjedhojë ka ardhur deri tek ngatërrimi i tyre.

Kësisoj, në këtë analizë është trajtuar rasti P.nr.2/2021, në të cilin e akuzuar është N.G., e cila nga Prokuroria Themelore e Pejës me aktakuzën PP/II.nr. 2228/2020, të ngritur me datën 29 dhjetor 2020, akuzohet për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas nenit 430 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Aktakuza sqaron më tej veprimet e të akuzuarës, me ç’rast thuhet se gjatë periudhës kohore 01 mars e gjerë me 19 qershor 2020, pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), nuk e ka deklaruar brenda afatit pasurinë, të ardhurat, dhuratat, dobitë e tjera pasurore apo financiare, edhe pse me ligj është e detyruar që të bëj një gjë të tillë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura në pozitën e Drejtoreshës në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi, pranë Komunës së Klinës, nga AKK-ja ka pranuar njoftimin se ka filluar periudha e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, prej 01 marsit deri me 30 mars (afat ky që ishte zgjatur deri me 19 qershor), e njëjta brenda këtij afati nuk e ka dorëzuar pranë AKK-së, formularin për deklarimin e pasurisë, mirëpo këtë gjë e ka bërë me datën 30 qershor 2020 dhe vonesën nuk e ka arsyetuar.

Lidhur me këtë çështje penale, Gjykata Themelore e Pejës – dega në Klinë, me datën 07 qershor 2021, ka shqiptuar aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës N.G.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarës i është shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 300 euro. Në rast se e akuzuara nuk dëshiron apo nuk mund të paguaj gjobën e shqiptuar sipas afatit të dhënë e njëjta gjobë do të zëvendësohet në dënim me burg, ku një ditë burgim do t’i llogaritet në 20 euro të gjobës. Përveç dënimit kryesor, gjyqtarja e rastit, të akuzuarës i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës” sipas nenit 59 par.2.4 të KPRK-së.

Pas analizimit të këtij aktgjykimi, Drejtësia Sot ka hasur në dy çështje problematike. E para ka të bëj me llojin e dënimit plotësues, ndërsa e dyta ka të bëj me mungesën e kohëzgjatjes së këtij dënimi.

Fillimisht në dispozitiv të aktgjykimit vërejmë se kemi të bëjmë me një përshkrim të gabuar të dënimit plotësues të shqiptuar, pasi që decidivisht aty përcaktohet si dënim i shqiptuar “Ndalimi i ushtrimit të funksionit, veprimtarisë ose detyrës”, e nëse e konsultojmë KPRK-në atëherë e shohim se një dënim plotësues si i tillë nuk ekziston. KPRK-ja parasheh këto dy lloje të dënimeve plotësuese, “Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbimin publik” që parashihet në nenin 62 si dhe “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës” që është i paraparë në nenin 63.

Në dispozitivin e aktgjykimit të analizuar është e përcaktuar dispozita ligjore që supozohet të jetë në përputhje me dënimin e shqiptuar e që në këtë rast është neni 59 par.2.4 i KPRK-së, i cili parasheh dënimin plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës”.

Duke analizuar me kujdes qëllimin dhe rrethanat në të cilat shqiptohet ky dënim plotësues, Drejtësia Sot konsideron se në rastin konkret ky dënim nuk do duhej të aplikohej. Për të argumentuar këtë konstatim, fillimisht duhet elaboruar karakteristikat kryesore të këtyre dy dënimeve plotësuese dhe dallimet nga njëri-tjetri.

Në nenin 63 par.1 të KPRK-së që parasheh dënimin “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës” thuhet se: “Gjykata mund t’ia ndalojë kryesit të veprës penale ushtrimin e profesionit të caktuar, veprimtarisë së pavarur, detyrës menaxhuese apo administrative ose detyrave që janë të lidhura me sistemimin, menaxhimin apo shfrytëzimin e pasurisë në pronësi publike apo mbrojtjen e pasurisë së tillë, nëse ai person e ka keqpërdoruar pozitën e tij, veprimtarinë apo detyrën me qëllim të kryerjes së veprës penale ose nëse ka arsye të pritet që ushtrimi i profesionit, veprimtarisë apo detyrës së tillë nga ai mund të keqpërdoret për kryerjen e veprës penale”. Ndërsa në par.4 të këtij neni përcaktohet kohëzgjatja e këtij dënimi  nëse personi zyrtar është dënuar për ndonjë nga veprat në lidhen me korrupsion, e cila është prej 1 (një) deri në 10 (dhjetë) vjet.

Sipas Komentarit të Kodit Penal, si persona, të cilët duke e keqpërdorur profesionin, apo veprimtarinë kryejnë vepra penale, janë p.sh. mjeku, motra medicinale, farmacisti, avokati, etj. Ndërsa si persona të cilët duke e keqpërdor detyrën e tyre kryejnë vepra penale janë p.sh. personat zyrtarë të punësuar në kuvendet komunale, në organet shtetërore dhe në subjektet tjera juridike të cilëve u është besuar apo kanë akces në pronën shoqërore apo në pronën shtetërore.

Dënimi tjetër plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbimin publik” zbatohet ndaj kryesve të veprave penale korruptive, të cilët duke shfrytëzuar detyrën zyrtare kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Në paragrafin 2 të nenit 62 të KPRK-së ku edhe parashihet ky sanksion, përcaktohet kohëzgjatja e këtij dënimi ndaj personit që i ka keqpërdorur funksionet e tij zyrtare dhe është dënuar me gjobë ose me dënim me kusht, gjë që i përgjigjet rastit që është trajtuar më lartë. Më saktësisht në këtë paragraf thuhet se: “Gjykata mund t’ia ndalojë kryesit ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej një (1) deri në tre (3) vjet, nëse personi i tillë i ka keqpërdorur këto funksione dhe është dënuar me gjobë ose me dënim me kusht”.

Komentari i Kodit Penal jep me shumë sqarime lidhur me këtë dënim plotësues, me ç’rast thuhet se ky lloj dënimi plotësues është paraparë për rastet kur ndonjë person të cilit i është besuar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në organin publik kryen ndonjë vepër penale. Tutje në komentar përcaktohet se edhe pse në dispozitat e kodit nuk thuhet shprehimisht, fjala është për persona zyrtarë. Andaj këtë dispozitë duhet interpretuar dhe duhet aplikuar vetëm ndaj personave zyrtarë në rastet kur kryejnë njërën nga veprat penale të parapara në kapitullin e veprave penale kundër detyrës zyrtare (neni 422 – 437). Gjithashtu këtu jepen sqarime se nocionin e personit zyrtar duhet interpretuar edhe në kontekstin e shërbyesve civilë sipas Ligjit për shërbimet publike. Si shërbyes civil apo person zyrtar në organet e pushtetit, përkatësisht të shtetit, konsiderohet p.sh. polici, prokurori, gjykatësi apo ndonjë person tjetër zyrtar në polici, në prokurori, gjykatë, në kuvendin komunal, në Kuvendin e Kosovës apo në Qeverinë e Kosovës, etj.

Drejtësia Sot, ka përpiluar një hulumtim lidhur me dënimet plotësuese ku ndër të tjera ka sqaruar edhe dallimet mes këtyre dy dënimeve. Në këtë hulumtim është elaboruar se dallimi në mes të këtyre dy sanksioneve penale qëndron në faktin se tek ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ndalohet mbajtja e funksionit brenda administratës shtetërore, ndërsa me ndalimin e ushtrimit të profesionit, detyrës apo veprimtarisë, kryesit i ndalohet ushtrimi i profesionit në të gjithë mekanizmat shtetëror në të cilat menaxhohet me pasurinë publike. Pra, dallimi esencial në mes këtyre dy dënimeve plotësuese është gjerësia e fushëveprimit të tyre karshi të dënuarve. Kjo ngase tek ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike ndalohet kryerja e punëve brenda administratës shtetërore, kurse tek ndalimi i ushtrimit të profesionit ndalohet kryerja e të gjitha detyrave që janë të lidhura me sistemimin, menaxhimin apo shfrytëzimin e pasurisë në pronësi publike apo mbrojtjen e pasurisë së tillë. Thënë ndryshe, ndalohet ushtrimi i profesionit në institucione shtetërore.

Në këtë mënyrë Drejtësia Sot, vlerëson se gjykata ka gabuar kur e ka shqiptuar dënimin plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës” në çështjen penale konkrete, pasi që në këtë rast kemi të bëjmë me veprën penale që është kryer në kuadër të obligimeve që rrjedhin nga detyra e të akuzuarës N.G., si Drejtoreshë për Gjeodezi, Pronësi dhe Kadastër dhe korrespondon me veprimet inkriminuese të saj. Kështu përderisa në këtë rast e akuzuara është dënuar për veprat penale që lidhen me pozitën zyrtare brenda komunës, atëherë dënimi plotësues adekuat që është dashur të shqiptohet është “Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën apo shërbimin publik”.

Sa i përket çështjes tjetër që është hasur si problematike e që ka të bëjë me kohëzgjatjen e dënimit, Drejtësia Sot, konsideron që gjykata ka shkelur dispozitat ligjore kur me rastin e shqiptimit të dënimit plotësues nuk ka përcaktuar kohëzgjatjen e ekzekutimit të tij.

Drejtësia Sot vlerëson se shqiptimi i çfarëdo sanksioni penal, pa e përcaktuar kohëzgjatjen e tij paraqet shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), në nenin 384 ka përcaktuar shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale. Në par.1.12 të këtij neni përcaktohet si shkelje esenciale e procedurës atëherë kur aktgjykimi nuk është përpiluar në pajtim me nenin 370 të këtij Kodi. Kështu, neni 370 i KPPRK-së, përcakton përmbajtjen dhe formën e aktgjykimit me shkrim. Ky nen ndër të tjera sqaron të gjitha elementet që duhet të përmbajë aktgjykimi në secilën pjesë përbërëse të tij. Paragrafi 4 i këtij neni thotë se “kur i akuzuari është dënuar, dispozitivi i aktgjykimit përfshin të gjitha të dhënat e nevojshme të parapara në nenin 365 të këtij Kodi…”.

Në ndërkohë neni 365 i KPPRK-së, sqaron se “në aktgjykimin me të cilin gjykata të akuzuarin e shpall fajtor shënon veprën penale për të cilën shpallet fajtor, së bashku me faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale, si dhe faktet dhe rrethanat nga të cilat varet zbatimi i dispozitës përkatëse të Kodit Penal, emërtimin ligjor të veprës penale dhe dispozitat e ligjit penal të zbatuara gjatë marrjes së aktgjykimit, dënimin e shqiptuar të akuzuarit, duke përfshirë edhe dënimin alternativ nga Kodi Penal ose lirimin nga dënimi, …, vendimin për llogaritjen e paraburgimit ose dënimit të mëparshëm në lartësinë e dënimit…”.

Pra, njëri nga elementet përbërëse të aktgjykimit dënues është përcaktimi i dënimit dhe kohëzgjatja e tij, duke ju referuar bazës ligjore të KPRK-së që parasheh atë. Për më tepër, KPRK-ja por edhe doktrina penale materiale shumë qartë ka paraparë çështjen e individualizimit të dënimeve si një nga parimet kryesore në një procedurë penale. Pra gjykata, duke u bazuar në rrethanat e rastit konkret përcakton llojin dhe lartësinë e sanksionit penal, sepse ky është obligim themeltar i gjykatës. Kjo çështje është paraparë edhe në kuptim të nenit 69 të KPRK-së, gjykata obligohet që kur cakton dënimin për një vepër penale, të marrë parasysh minimumin dhe maksimumin e dënimit të paraparë për atë vepër, e që në rastin konkret siç duket nuk është marrë parasysh asnjëra nga këto. Prandaj Drejtësia Sot konsideron se veprimi i tillë i Gjykatës së Pejës paraqet shkelje të qartë të parimit të individualizimit dhe njëkohësisht konsiston në shkelje esenciale procedurale.

Andaj, për t’i eliminuar këto shkelje Drejtësia Sot konsideron se gjykata obligohet që vendimet e marra të ketë të qarta, koncize dhe në përputhje me dispozitat ligjore, sidomos sa i përket pjesës së dispozitivit. Marrja e vendimit për shqiptimin e dënimit pa e përcaktuar kohëzgjatjen le zbrazësi në interpretimin e atij vendimi dhe paraqet shkelje të qartë ligjore. Si rrjedhojë, Drejtësia Sot, vlerëson se gjykata është dashur të përcaktojë kohëzgjatjen e dënimit plotësues pasi që kjo përveç që eliminon shkeljet, ndikon edhe në qartësimin e dënimit të shqiptuar, e kësisoj ka ndikim edhe në ekzekutimin dhe arritjen e qëllimit të tij.

Drejtësia Sot, shprehet e shqetësuar lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore nga ana e gjykatës, andaj, fton Gjykatën e Pejës që me rastin e shpalljes së aktgjykimit për raste të tilla të vlerësojë drejtë të gjitha rrethanat dhe të ketë gjithmonë në rend të parë arritjen e qëllimit të dënimit. Për më tepër, kjo gjykatë ftohet që si në rast të shqiptimit apo mos shqiptimit të dënimit plotësues, të arsyetojë vendimin e marrë duke i specifikuar qartë dispozitat mbi të cilat është mbështetur dhe të përcaktojë qartazi kohëzgjatjen e dënimit të shqiptuar. Për më tepër, edhe Prokuroria e Pejës ftohet që të jetë vigjilente në trajtimin e këtyre rasteve dhe të bëj apelimin e tyre në gjykatën e shkallës së dytë, për të vënë në vend drejtësinë duke kërkuar dënimin meritor.

Shkruar nga Blerta Kelmendi.