Më 22 shtator të këtij viti ka filluar gjykimi ndaj kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe drejtorit të financave dhe administratës së këtij instititucioni, L.L. dhe A.B.
Këta dy persona akuzohen se kanë marrë 8 mije euro ryshfet me qëllim që të mos i shqiptojnë sanksion një biznesi i cili kishte bërë shkelje ligjore. Më saktësisht, A.B. dhe L.L. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktit akuzues, A.B. në cilësinë e Drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM dhe L.L. në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së, duke vepruar në mënyrë të drejtpërdrejtë respektivisht të tërthortë, kanë marrë ryshfet në vlerë prej 8 mijë euro me qëllim të mos ndëshkimit të një kompanie e cila kishte bërë shkelje ligjore duke shtrirë rrjetin e saj në disa vende pa e njoftuar KPM-në. Aktakuza thotë se këto para janë marrë nga të pandehurit me qëllim që ata të mos shqiptonin gjobë ndaj kësaj kompanie për këto veprime. Ndër të tjera, në aktakuzë sqarohet se këta të pandehur kishin pasur disa takime me pronarët e kompanisë në fjalë, e që ka rezultuar se qëllimi i tyre ka qenë marrja e ryshfetit për të mos vepruar në pajtim me detyrën zyrtare.
Në seancën fillestare të 22 shtatorit ishte proceduar me leximin e aktit akuzues dhe deklarimin e të akuzuarve rreth fajësisë.
Pas leximit të aktit akuzues nga ana e prokurorit të shtetit, i pandehuri A.B. pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, por ky pranim fajësie nuk u aprovua nga gjyqtari Ajvazi. Ai tha se ky pranim fajësie nuk i përmbush kushtet e parapara në nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale, pasi qe vepra penale dyshohet se është kryer në bashkëkryerje. Ndërsa i pandehuri L.L u deklarua i pafajshëm për këtë vepër penale.
Drejtësia Sot pas analizimit të këtij veprimi të gjykatës, konsideron se ekzistojnë dy problematika që duhet trajtuar. Çështja e parë që vlen të analizohet ka të bëjë me interpretimin dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) të cilat rregullojnë çështjen e pranimit të fajësisë.
Rikutojmë se Drejtësia Sot në muajin maj të vitit 2020, ka publikuar një analizë ligjore lidhur me mënyrën se si gjykatat aplikojnë institutin e pranimit të fajësisë kur veprat penale janë kryer në bashkëkryerje. Në këtë analizë, Drejtësia Sot ka paraqitur në mënyrë të qartë zbrazëtirën ligjore të rregullimit adekuat të çështjes së pranimit dhe refuzimit të fajësinë kryesve që kanë kryer vepra penale në bashkërkryeje dhe njëherit paraqet një pasqyrë të mosunifikimit të praktikës gjyqësore në Kosovë lidhur me vendosjen e gjyqtarëve me rastin e trajtimit të këtyre rasteve.
Përveç kësaj, në këtë punim ishte sqaruar se si gjyqtarët në tërë territorin e Kosovës, vendosin që të refuzojnë pranimin e fajësisë, duke keqintepretuar dispozitat ligjore të nenit 248 të KPPRK-së të cilat parashohin kushtet që duhet përmbushur për t’u pranuar fajësia. Gjithashtu është ngritur shqetësimi se si gjykatat me rastin e vendosjes për të refuzuar pranimin e fajësisë, nuk ofrojnë arsyetim i cili përkon me rrethanat faktike të çështjes penale gjegjëse. Pra, në këtë analizë është theksuar se në këtë fazë procedurale gjykatat po dështojnë të interpretojnë dispozitat ligjore lidhur me pranimin e fajësisë për veprat penale të kryerja në bashkëkryerje, si dhe nuk po argumentojnë qartazi arsyet se pse është bërë refuzimi përkitazi me rrethanat faktike.
Rasti konkret ndaj kryeshefit dhe drejtorit të financave të KPM-së është njëra nga këto çështje penale ku gjykata ka dështuar që të aplikojë në mënyrën e duhur dispozitat ligjore të nenit 248 të KPPRK-së. Në këtë çështje penale, gjyqtari i rastit në procesverbalin e shqyrtimit fillestar ka konstatuar se i refuzohet pranimi i fajësisë njëri nga të akuzuarit pasi që është në kundërshtim me nenin 248 të KPPRK-së, meqë vepra penale është kryer në bashkëkryrje.
Mirëpo nëse analizojmë me kujdes kushtet të cilat i parasheh neni 248 i KPPRK-së, në asnjërin prej tyre nuk përcaktohet se kur vepra penale është kryer në bashkëkryerje, pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit duhet të refuzohet. Dispozitat ligjore të nenit 248 të KPPRK-së kanë paraparë disa kritere që duhet plotësuar në mënyrë që gjykata të aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit. Fillimisht gjykata duhet të sigurohet që i pandehuri kupton natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit dhe se pranimi bëhet vullnetarisht nga i pandehuri pas këshillimeve të mjaftueshme me mbrojtësin, nëse i pandehuri ka mbrojtës. Gjykata gjithashtu ka obligim që para se të aprovojë pranimin e fajësisë të shikojë nëse i njejti mbështetet në faktet e çështjes që përmban aktakuza, në materialet e prezantuara nga prokurori i shtetit për plotësimin e aktakuzës të pranuar nga i pandehuri dhe çdo provë tjetër, siç është dëshmia e dëshmitarëve e paraqitur nga prokurori i shtetit ose i pandehuri.
Siç mund të shihet, në asnjërën nga këto kritere të paracaktuara nuk është paraparë apriori mundësia që të refuzohet pranimi i fajësisë tek veprat penale të kryera në bashkëkryerje. Rrjedhimisht, sa i përket rastit konkret, gjykata është bazuar gabimisht në dispozitat e këtij neni, për arsye se ai nuk përmban norma të asisoji që kërkojnë refuzimin e pranimit të fajësisë në këto raste.
Megjithatë, Drejtësia Sot, gjatë monitorimit të saj, ka vërejtur se në situatat kur refuzohet pranimi i fajësisë kryesisht gjyqtarët mbështeten te pika 3 e nenit 248 paragrafi 1 të KPPRK-së, sipas së cilës pranimi i fajësisë nuk mbështetet në faktet e çështjes dhe provat e materialet sipas aktakuzës. Sipas këtij interpretimi, për shkak të veprimeve të ndërlidhura të të akuzuarve të cilët veprën penale e kanë kryer në bashkëkryerje, gjykata nuk mund të aprovojë pranimin e fajësisë për njërin nga të akuzuarit, nëse edhe i bashkëakuzuari nuk e pranon veprën penale.
Duke analizuar me kujdes këtë çështje, Drejtësia Sot konsideron se një interpretim i tillë i gjykatave dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale. Drejtësia Sot rikujton se çështja e pranimit të fajësisë është rrethanë subjektive dhe paraqet një nga të drejtat e të pandehurit në procedurë penale. Kjo e drejtë është përcaktuar në nenin 246 të KPPRK-së, në të cilin është saktësuar se pas leximit të aktit akuzues, të akuzuarit i ofrohet mundësia që të pranojë fajësinë për veprën penale në fjalë. Përpos kësaj, neni 36 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës ka paraparë që secili person që kryen vepër penale në formë të bashkëpunimit është përgjegjës brenda kufijve të dashjes apo pakujdesisë së tij, pra brenda veprimeve të kryera nga ai.
Drejtësia Sot nuk mohon rastet specifike në të cilat mund të shfaqen rrethana të veçanta që determinojnë refuzimin e pranimin të fajësisë të njërit nga të pandehurit për shkak të zbardhjes sa më të mirë të çështjes. Sipas vlerësimit të Drejtësia Sot, këto situata duhet të paraqesin vetëm përjashtim dhe jo të bëhen praktikë gjyqësore me rastin e vendosjes për situata të tilla nga ana e gjykatave.
Sidoqoftë, ajo çka vlen të analizohet dhe trajtohet me rendësi të posaçme është fakti se vendimet e gjykatave, në shumicën e rasteve nuk përmbajnë asnjë lloj arsyetimi që do të argumentonte bindjet e gjykatës se duhet refuzuar pranimi i fajësisë. Kjo situatë përkon me çështjen penale që është duke u trajtuar në këtë analizë, pasiqë marrja e aktvendimit në procesverbal mbi refuzimin e pranimit të fajësisë sepse vepra penale është kryer në bashkëkryerje dhe kësisoj nuk është përputhje me nenin 248 të KPPRK-së, nuk paraqet arsyetim ligjor i cili kërkohet nga ana e gjykatave me rastin e marrjes së vendimeve, qoftë procedurale apo meritore.
Në këtë drejtim, Drejtësia Sot konsideron se mungesa e arsyetimeve të vendimeve gjyqësore konsiston në mos përmbushjen e detyrimit të gjykatës për dhënien e arsyeve të qarta dhe konsistente me rastin e marrjes së çfarëdo vendimi. Rëndësia e arsyetimit të vendimeve është shpërfaqur shumë qartë edhe në jursiprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj) dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat vazhdimisht proklamojnë detyrimin e gjykatave që të justifikojnë vendimet të cilat i nxjerrin në mënyrë të qartë dhe me arsye ligjore. Në raport me çështjen penale që është objekt i kësaj analize, kjo do duhej të shfaqej në dhënien e një arsyetimi të zgjeruar se pse është refuzuar pranimi i fajësisë, duke specifikuar rrethanat konkrete të cilat kanë ndikuar që të mirret ky vendim.
Rëndësia e arsyetimit ligjor të vendimeve gjyqësore është konsoliduar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila duke iu referuar vendimeve të GJEDNj-së ka ritheksuar rëndësinë e këtij aspekti në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj). Në elaborimet e saja, një ndër to edhe në rastin me numër KI72/12, Gjykata Kushtetuese ka vënë theksin në faktin se vendimet e gjykatave do të shkelin parimin kushtetues të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje, në qoftë se arsyetimi i dhënë nuk i përmban faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. Në po të njejtin vendim, Gjykata Kushtetuese ka potencuar se gjykatat e rregullta kanë për obligim që të arsyetojnë vendimet e tyre me baza të arsyeshme, qoftë në nivel procedural apo material.
Nga këto shtjellime të kësaj gjykate, vërehet qartë se një nga elementet kruciale dhe të domosdoshme të përmbushjes së të drejtës për një gjykim të drejtë është arsyetimi bindës i gjykatës, i cili përmban qartësisht kriteret ligjore, elementet faktike të rastit si dhe lidhshmërinë e tyre.
Mirëpo kjo mënyrë e të arsyetuarit nuk po respektohet nga ana e gjykatave të rregullta të sistemit gjyqësor të Kosovës, për faktin se të njejtat po lëngojnë në masë të theksuar në interpretimin qëllimor dhe sistematik të normave ligjore. Nëse analizojmë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në raport me rrethanat e rastit konkret të trajtuar në këtë analizë, vërehet qartë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka dështuar që të jap arsye të bazueshme mbi bazën ligjore të përdorur dhe gjendjen faktike në momentin që ka vendosur që të refuzojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari A.B. Pra, duke cituar nenin 248 të KPPRK-së dhe duke u thirrur vetëm në faktin se vepra penale është kryer në bashkëkryerje dhe kësisoj është në kundërshtim me këtë dispozitë ligjore, kjo gjykatë përveç se ka aplikuar gabimisht normën ligjore, nuk ka arritur as të jap arsyetimin e duhur i cili është kërkesë kushtetuese që jetëson të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.
Prandaj, Drejtësia Sot rekomandon të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës që fillimisht të interpretojnë dispozitat ligjore duke iu referuar qëllimit të tyre dhe raportin që ato kanë me të drejtat e të pandehurve në procedurë penale. Sipas vlerësimit tonë, kjo mënyrë e të interpretuarit është e vetmja qasje që do të garantonte një proces të rregullt gjyqësor, i cili vë në piedestalet më të larta të drejtat bazike në një procedurë penale.
Përveç kësaj, Drejtësia Sot me theks të veçantë rekomandon gjykatat që çfardo vendimi që marrin, qoftë me rastin e vendosjes së themelit të çëshjes por edhe çështjet procedurale, të ofrojnë arsyet ligjore, faktike dhe gërshetimin e tyre. Drejtësia Sot duke rikujtuar shtjellimin e mësipërm vë në theks faktin se ky është detyrim i patejkalueshëm i gjykatave, i cili është edhe një nga elementet thelbësore të një gjykimi të drejtë.
Shkruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus