Ka përfunduar dëshminë e saj S.B., kryetare e Komisionit Vlerësues së Prokurimit, në rastin ku zyrtari policor Jeton Menxhiqi, po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Menxhiqi po akuzohet se si anëtar i komisionit – përfaqësues i Drejtorisë së Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në tenderin “Furnizim me Roba Elegante”, i ka mundësuar një kompanie në mënyrë të kundërligjshme përfitim në vlerë rreth 500 mijë eurosh.
Dëshmitarja S.B., si zyrtare e lartë e Prokurimit në Policinë e Kosovës, gjatë dëshmisë së saj shpjegoi në lidhje me vijueshmërinë e procesit të tenderimit për rroba elegante. Ajo theksoi se si anëtar të komisionit para se të caktohet i akuzuari Menxhiqi, ishte caktuar një person tjetër i cili për shkak të pamundësisë që të jetë pjesë është caktuar pastaj i akuzuari Menxhiqi. Tutje shtoi se dhoma në të cilën kanë qëndruar mostrat e operatorëve ekonomik që kanë aplikuar në tender ka qenë e mbyllur ndërkaq që çelësin e dhomës e ka pasur vetëm një zyrtare e zyrës sonë, dhe zëvendës drejtori i zyrës.
S.B., poashtu shtoi se i akuzuari Menxhiqi i kishte ndihmuar në vazhdimësi për bartjen e mostrave nga njëra dhomë në tjetrën për shkak të peshës së madhe që ato kishin. E njejta theksoi se pas kontrollimit të mostrave të operatorëve ekonomik herën e dytë, është evidentuar një gabim teknik në njërën prej mostrave sa i përket përbërjes së materialit, i cili është gabim teknik dhe mund të ndodh. Dëshmitarja në vazhdimësi ka theksuar se i akuzuari Menxhiqi është dashur të vepronte në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë që i janë caktuar.
Në përfundim të dëshmisë së saj, vërejtje kishte avokati Naim Rudari, mbrojtës për të akuzuarin Menxhiqi, i cili theksoi se deklaratat e dëshmitares se si Kryetare e Komisionit nuk ka pasur obligim gjatë pranimit të ofertave të konstatohen se ofertuesit a i kanë plotësuar kushtet e parapara me tender apo jo, janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.
Në këtë drejtim gjyqtarja e çështjes Alltene Murseli, ndërpreu seancën e sotme për të caktuar të radhës me datë 18 nëntor me fillim nga ora 09:30, ku pritet të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.
Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurorja Fitore Sadiku, i pandehuri Jeton Menxhiqi, me datë 08 gusht 2017, në Prishtinë, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me Roba Elegante”, i cili përfaqësonte Drejtorin e Hetimeve kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.
Aktakuza thotë se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin e lartëcekur, i paraparë në vlerë prej 730 mijë euro, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri, S.B. dhe N. L., pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga Operatorët Ekonomik nga (8) tetë sa kishin konkuruar nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.
Atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur Operatorit Ekonomik ”Artius Group SHPK” ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, me datë 08 gusht 2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre merr çelësin dhe në mënyrë të kundërligjshme pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit shkon ne Zyrën e Prokurimit, ku merr paketën e duke vepruar në këtë mënyrë “Artius Group” ndërron mostrat e Rrobave Elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në zyrën e Prokurimit.
I pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 506.216.20 euro.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana
Lajmet në fokus