Sërish ka dështuar të mbahet seanca në rastin ndaj 6 të akuzuarve për shpërlarje parash dhe shmangie nga tatimi, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ramadan Mavraj, Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dhe Rexhë Kastrati, po gjykohen për veprën penale “Pastrimi i parave” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Seanca e sotme dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarve Ramadan Mavraj dhe Valdet Muriqi. Avokati mbrojtës i të akuzuarit Mavraj dekalaroi se i mbrojturi i tij ka pësuar dy aksidente trafiku që nga seanca e kaluar dhe nuk është në gjendje të mirë shëndetësore duke i paraqitur gjykatës edhe dokumentacionin mjekësor. Ndërkaq që i akuzuari tjetër Valdet Muriqi nuk ishte i pranishëm dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Avokati Sali Mekaj mbrojtës për të akuzuarin Muriqi paraprakisht me anë të një parashtrese kishte njoftuar gjykatën se ai nuk do të mund të jetë prezent në seancën e sotme për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, mirëpo vetë i akuzuari Muriqi nuk ishte prezent dhe gjykata nuk kishte ndonjë arsye se pse nuk ishte i pranishëm.
Në këtë drejtim gjyqtarja Shadije Gërguri, njoftoi palët se për seancën e radhës do të lëshoj urdhër për sjellje me detyrim për të akuzuarit Valdet Muriqi, e cila u caktua me datë 26 nëntor me fillim nga ora 09:30.
Kujtojmë që kjo është seanca e tretë e cila për shkak të mungesave të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre dështon të mbahet.
Sipas aktakuzës të përfaqësuar nga Prokurori Special Atdhe Dema, të pandehurit Ramadan Mavraj dhe Muharrem Mavraj, nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale.
Të pandehurit Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma parashmes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.
Sipas prokurorisë speciale, të pandehurit tjerë Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nganeni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nën paragrafi3.1, të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin31 të KPRK-së.
Po ashtu, gjashtë të pandehurit, dyshohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.
Me këto veprime të lartcekurit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 459.738.80 euro.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana.
Lajmet në fokus