Paraburgim të pandehurve, keqpërdorën pozitën zyrtare dhe kontrabanduan mallra

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

10:48 / 13 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

 

 

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve M.A., dhe N.K., raporton Drejtësia Sot.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 05 Tetor 2021, i pandehuri M.A., në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, në Komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunjë, të llojit pishë, edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjëve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç’rast ka legalizuar këtë sasi të drunjëve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N.K., që të përfitojë duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, i pandehuri M. A., dyshohet të ketë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”, ndërsa i pandehuri N. K., veprën penale “kontrabandim i mallrave”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Lajmi është bërë i ditur nga komunikata për media e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndër të tjera, në komunikatë thuhet se sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartëcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi