Drejtësia Sot, njofton se nesër pritet të mbahet rigjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, Ismet Isufit, Gani Ramës, si dhe Veli Hajdarages.
Ish-kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, së bashku me Ismet Isufi dhe Gani Rama, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, po akuzohet për mashtrim me subvencione.
Gjykimi ndaj të njëjtëve pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, nën udhëheqjen e trupit gjykues të kryesuar nga kryetari i trupit, gjyqtarit Shaqir Zika si dhe dy anëtarët tjerë gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe gjyqtares Besarta Doli.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë me 19 shkurt 2021 i kishte shpallur fajtor ish kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekën, Gani Ramën, dhe Ismet Isufin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Lekaj dhe Isufi, ishin dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj, kurse i akuzuari Rama ishte dënuar dënim me kusht në afat prej 1 viti. Sipas gjykatës, këto dënime nuk do të ekzekutoheshin nëse në afat prej 2 vitesh të njëjtit do të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
Së bashku me ta ishte gjetur fajtor edhe pronari i biznesit “UNION-VL”, Veli Hajdaragen, i cili kishte kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” si dhe veprën penale “Mashtrim lidhur me subvencione”. Hajdaraga për veprën penale mashtrim lidhur me subvencione, gjykata kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 5.000 eurosh, kurse për veprën penale shmangie nga tatimi ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 3.000 eurosh si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.
Kësisoj, për të njëjtin gjykata kishte shqiptuar dënim unik me gjobë në shumën prej 8.000 eurosh, dënim ky i cili duhet të paguhet në kohëzgjatje prej 3 muajsh. Ai gjithashtu ishte dënuar me burgim me kusht në afat prej 1 viti, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej 2 vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Po kështu, të akuzuarin Hajdaraga e kishte detyruar që ATK-së t’ia kompensojë shumën prej 21.283 euro në emër të tatimit ta pa paguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej 3.435.48 euro në afat prej 1 viti.
Gjykata ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Gani Rama dhe Ismet Isufi kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Po ashtu, të njëjtit i kishte detyruar që në emër të dëmit të shkaktuar të dëmtuarës Komunës se Gjakovës, t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69.780.00 euro në afat prej 1 viti.
Të pakënaqur ndaj këtij vendimi të shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë kishin ushtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Pal Lekaj, Veli Hajdaraga, Ismet Isufi si dhe Gani Rama.
Kështu, Gjykata e Apelit në Prishtinë, pasi kishte shqyrtuar ankesat e ushtruara ndaj vendimit të shkallës së parë, kjo gjykatë i ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Gani Rama, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, si dhe ka aprovuar si të pjesshme ankesën të akuzuarit Veli Hajdaraga sa i përket veprës penale mashtrim me subvencione, duke e anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.
Ndërkaq, lidhur për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës me 10 prill 2018,kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekajt dhe të tjerëve.
Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.
Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.
I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.
Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato. Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me 26 maj 2016, kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Gani Ramës, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.
Aktakuza më tutje shpjegon se kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta. Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohet të ketë qenë 218.956.67 euro.
Drejtësia Sot, ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus