Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, është shtyrë seanca gjyqësore ndaj drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, i akuzuar për veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore e paraparë për të hënën, ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues gjyqtarit Veli Kryeziu, i cili mungoi për shkak të problemeve shëndetësore.
Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi njoftoi se seanca e sotme shtyhet për datën 6 dhjetor, 2021.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të cilën e përfaqëson prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Bekim Bajrami, gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aktakuza sqaron se i akuzuari duke anashkaluar interesin e institucionit, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus