L.I., zyrtar i gjendjes civile në komunën e Fushë Kosovës, ka mohuar fajësinë se ka keqpërdorë detyrën e tij zyrtare që t’i sjell përfitim një personi tjetër, raporton Drejtësia Sot.
Këtë deklarim ai e dha në seancën fillestare të mbajtur sot në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, e cila u udhëhoq nga gjyqtari Kushtrim Shyti.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, i akuzuari L.I. ka mohuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Nën këto rrethana, gjyqtari Shyti njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë që brenda afatit ligjor të paraqes kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më datë 30.11.2018, ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit të gjendjes civile në komunën e Fushë Kosovës, L.I. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 i KPRK-së.
Sipas dispozitivit të aktakuzës. L.I., ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për t’i sjellë përfitim personit me inicialet N.H. Aktakuza sqaron se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Shtetësinë e Republikës së Kosovës, e ka regjistruar N.H. në librat e regjistrit të lindjes së personave që kanë lindur jashtë Kosovës, edhe pse ky i fundit nuk ishte i pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Në këtë mënyrë prokuroria pretendon se i akuzuari nuk ka respektuar procedurën ligjore për regjistrimin e këtij personi në regjistrat e lindjes jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus