Mohon fajësinë Këshilltari i Asamblesë Komunale në Deçan, i akuzuar për korrupsion

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Selvije Morina

12:07 / 21 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, sot është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Këshilltarit të Kuvendit Komunal në Deçan, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK-së) Mehmet Osaj, raporton Drejtësia Sot.

Osaj, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Në fillim të shqyrtimit i akuzuari Osaj, deklaroi se nuk e ka pranuar aktakuzën e as ndonjë shkresë tjetër nga ana e Prokurorisë edhe pse kishte shkuar një herë për ti kërkuar mirëpo prokurori i çështjes kishte qenë i zënë dhe nuk kishte mundur t’ia dorëzoj shkresat.

Kështu gjyqtari i çështjes Sulltan Dobraj, i’a dorëzoj një kopje të aktakuzës të akuzuarit duke shtuar se gjykata çmon se Prokurori i shtetit nuk i ka përmbushur obligimet për pajisjen e të akuzuarit me shkresa të lëndës.

Pas këtij momenti shqyrtimi vazhdoi me leximin e aktakuzës nga ana e prokurores Suada Hamza, ku i akuzuari deklaroi se aktakuzën e ka kuptuar vetëm pjesërisht pasi që nuk e ka të qartë se për çfarë dhurata bëhet fjalë.

Tutje gjykata ftoi prokuroren që të akuzuarit të i’a sqaroj aktakuzën kështu prokurorja Hamza, deklaroi se mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i te ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, është emërtimi ligjor i veprës penale dhe sipas ligjit të gjithë zyrtarët publik përveç pasurisë janë të obliguar të deklarojnë edhe çfarëdo lloj dhurate që ata posedojnë.

Kësisoj i akuzuari Osaj, pasi që e kishte të qartë aktakuzën deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Në fund meqenëse i akuzuari u deklarua i pafajshëm gjyqtari Dobraj, e njoftoi të akuzuarin Osaj dhe mbrojtësin e tij avokatin Daut Cacaj, se kanë të drejtë të ushtrojnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës. Ndërsa seanca e shqyrtimit të dytë u caktua për datën 22 nëntor 2021 në ora 13:00.

Sipas aktakuzës që posedon Drejtësia Sot, Osaj, akuzohet se me datën 20.04.2021 në Deçan, përkatësisht në Kuvendin Komunal në Deçan, si zyrtar i lart publik, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe atë nenit 8 par. 1 të Ligjit 04/L-050 dhe nenit 4 të Ligjit 04/L-228, nuk e paraqet atë brenda afatit për paraqitjen e deklaratës, në atë mënyrë që, i pandehuri Mehmet Osaj, si Këshilltar i Asamblesë Komunale në Deçan, gjegjësisht zyrtar i lartë publik, nga data 01 mars deri më 31 mars 2021 obligohet që të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak për të cilën gjë është njoftuar, mirëpo i njëjti gjatë kësaj periudhe nuk e deklaron fare pasurinë dhe deklaratën e dorëzon pas kalimit të këtij afatit përkatësisht me datën 20.04.2021.

Drejtësia Sot, ka raportuar edhe për ngritjen e aktakuzës lidhur me këtë rast

Monitoruese Selvije MORINA