Mohojnë fajësinë katër të akuzuarit për shpërlarje të parave në vlerë mbi 500 mijë euro

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

13:38 / 15 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

A.B., V.M., A.A dhe A.T kanë mohuar fajësinë se kanë bërë shpërlarjen e pareve dhe tregti të ndaluar, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa leje përkatëse dhe me qëllim që t’i sjellin vetes përfitime të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshëm, raporton Drejtësia Sot.

Këtë deklarim e kanë dhënë në seancën fillestare të mbajtur sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila u udhëhoq nga gjyqtarja Suzana Çerkini.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Naim Abazi, të akuzuarit A.B., V.M., A.A dhe A.T kanë mohuar fajësinë për veprat penale që po ju vihen në barrë.

Nën këto rrethana, gjyqtarja Suzana Çerkini, njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtë që brenda afatit ligjor të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 16.08.2021, ka ngritur aktakuzë ndaj A.B., V.M., A.A dhe A.T për veprat penale “Tregtia e ndaluar” nga neni 305 par.1 i KPRK-së dhe “Shpëlarja e parave” nga neni 302 i KPRK-së lidhur me nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Shpëlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizimit.

Sipas të aktakuzës, të akuzuarit A.B V.M., A.A dhe A.T gjatë periudhës kohore nga viti 2013 deri në vitin 2014, duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, kanë autorizuar persona të ndryshëm për tërheqjen e mjeteve monetare, përmes institucioneve financiare nga “Wester Union” dhe “Money Gram në, vende të ndryshme të Kosovës.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të shpërlarjes së parave, pasi që duke qenë në dijeni se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal kanë pranuar shuma të mëdha të mjeteve monetare nga persona të panjohur nga Republika e Turqisë dhe Republika Dominikane, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

Më tutje sipas aktakuzës në emër të të pandehurit A.B, janë tërhequr para në shumë të përgjithshme prej 558.375.77 euro, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Në emër të të pandehurit V.M, janë tërhequr  para në shumë të përgjithshme prej 123.348.79 euro, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Në emër të të pandehurit A.A, janë tërhequr para në shumë të përgjithshme prej 65.884.44 euro, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Në emër të të pandehurit A.T, janë tërhequr  para në shumë të përgjithshme prej 95.189.86 euro, të cilat para rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Me këto veprime sipas aktakuzës secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Tregtia e ndaluar” nga neni 305 par.1 i KPRK-së dhe “Shpëlarja e parave” nga neni 302 i KPRK-së lidhur me nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Shpëlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizimit.

Monitoruar nga Elvira Rrahmani