Me urdhër të PSRK-së arrestohen pesë persona për përgatitje të veprave terroriste

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

12:05 / 11 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se dje është zhvilluar një operacion nga ana e Policisë së Kosovës, respektivisht nga Drejtoria Kundër Terrorizmit që ka rezultuar me pesë persona të arrestuar, raporton Drejtësia Sot.

Në komunikatën për media të PSRK-së thuhet se arrestimi i të dyshuarve ka ardhur pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta, dron, si dhe armë anti-tankë.

Gjithashtu, sipas PSRK-së, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale “Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, si dhe veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” .

PSRK, njofton se personat e njëjtë dyshohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në fund të komunikatës për media, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se brenda afateve kohore ligjore do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit për pesë personat e ndaluar.

Monitorues Liridon Salihi