Në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot u shpall aktgjykimi në rastin ku ish-zyrtari i Komunës së Drenasit, Xhemë Binaku, akuzohet për korrupsion, raportin Drejtësia Sot.
Xhemë Binaku akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, i cili akuzohet se ka kërkuar para nga Bardhyl Geci në emër të qirasë së një lokali në Qendrën Tregtare në Drenas.
Trupi gjykues kishte marrë aktgjykim refuzues dhe këtë vendim e arsyetoi me faktin që vepra penale me të cilën akuzohet i pandehuri kishte arritur parashkrimin absolut.
Kujtojmë se ndaj Xhemë Binakut me datë 14 gusht 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues, ndërkaq gjykata e shkallës së dytë e ka kthyer në rigjykim këtë çështje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë viteve 2008 e deri në vitin 2012, në cilësinë e personit zyrtar në administratën e Komunës së Drenasit. I pandehuri ka kërkuar para nga i dëmtuari Bardhyl Geci në emër të qirasë së lokalit F8 i cili gjendet në Qendrën Tregtare në Drenas.
Gjithmonë sipas aktakuzës i pandehuri ka marrë qira çdo muaj nga 300 euro, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.800 euro dhe se këto pagesa nga ana e të dëmtuarit nuk i ka evidentuar në emër të komunës.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus