Është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit Nikolla Kabasic, kryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në procesin e rigjykimit ndaj Rafet Ismailit dhe Blerim Gashit, të akuzuar për veprën penale ‘Ushtrim ndikimi’, raporton Drejtësia Sot.
Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ish gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish polici Blerim Gashi, akuzohen se duke shfrytëzuar pozitat e tyre kanë marrë të holla dhe kanë ushtruar ndikim në persona të tjerë me qëllim të shtyerjes së ekzekutimit të dënimit për tani dëshmitarin F.Z.
Dëshmitari Kabasic ishte propozuar në seancën e kaluar nga mbrojtja e të akuzuarit Ismaili. I njejti gjatë deklarimit të tij theksoi se i akuzuari Rafet Ismaili asnjëherë nuk i kishte kërkuar ndonjë favor atij. Ai tutje shtoi se njëherë ishte paraqitur në zyrën e tij për të kërkuar ndihmë për çështje mjekësore për një familjar të vetin dhe të njejtit i kishte ndihmuar në baza kolegiale. Ndërkaq për çështje të tjera nuk kishin komunikuar asnjëherë.
I pyetur nga mbrojtja nëse ka njohuri se aktakuza ndaj Rafet Ismailit është ngritur ngase thuhet se ka ushtruar ndikim pikërisht tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në këtë rast ju, për të shtyer ekzekutimin e dënimit ndaj të burgosurit F.Z., i njejti u deklarua se është njoftuar nga mediat në lidhje me këtë rast ku edhe ishte habitur kur kishte parë emrin e tij. I njejti theksoi se nuk i kujtohet rasti i të dënuarit F.Z., ngase në ditë trajton rreth 20 kërkesa të tilla, mirëpo që një gjë të tillë Rafeti nuk i’a kishte kërkuar.
Tutje ai sqaroi procedurën që ndjek gjykata për kërkesat për shtyerje të ekzekutimit të dënimit, mirëpo rasti konkret i të dënuarit F.Z., edhe pasi i’u prezantua nga Prokurorja Ilirjana Qollaku Tafa nuk i’u kujtua, dhe tha se është vepruar edhe në këtë rast sikurse në të gjitha kërkesat e tjera.
Poashtu Prokurorja Qollaku i lexoi përgjimet e të akuzuarit Ismaili ku përmendet dëshmitari Kabasic, dhe i njejti deklaroi se nuk ka njohuri në lidhje më këtë bisedë dhe nuk është kontaktuar kurrë nga i akuzuari Ismaili për këtë çështje.
Kujtojmë se ish gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish polici Blerim Gashi, janë dënuar për veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’, nga Departamenti Special i kësaj gjykate duke i’u shqiptuar të njejtëve dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje për 2 vite e 6 muaj, secilit veç e veç. Po ashtu, të njejtit janë dënuar me gjobë nga 2 mijë euro, secili veç e veç, si dhe me dënim plotësues, gjykata të akuzuarve ju ka shqiptuar ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 2 viteve, e cila do të ekzekutohet pas përfundimit të dënimit kryesor.
Të akuzuarit me vendimin e shkallës së parë poashtu u obliguan që të kompenzojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, ashtu që i pandehuri Ismaili shumën prej 1500 euro, kurse i akuzuari Gashi shumën prej 1000 euro, pasi që të njejtat kanë qenë të holla të Policisë së Kosovës, me të cilën janë stimuluar veprat penale.
Gjykata e Apelit me vendimin APS.nr.10/2021 të datës 22 prill 2021, ka anuluar aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë PS.nr.14/2020 të datës 18 dhjetor 2020, dhe cështjen e ktheu në rigjykim të njejtës gjykatë. Gjykata e Apelit në arsyetim theksoi se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), ngaqë arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitivin, dhe njëherit mungojnë edhe arsyet për faktet vendimtare ngase ato që janë dhënë nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera të lëndës.
Gjykata e Apelit poashtu theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë konsiston edhe në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Sipas aktakuzës, së përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca, Ismaili më datën 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1.500 euro, me qëllim që të ushtrojë ndikimi të pa drejtë te Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të dates 26.07.2018 ndaj dëshmitarit F. Z., në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Ndërsa, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësinë e zyrtarit policor në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendim marrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1000 euro me qëllim që i akuzuari të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26.07.2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana
Lajmet në fokus