Konfirmohet aktakuza ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve, arsyet e gjykatës për refuzimin e kërkesave të mbrojtjes

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

09:50 / 27 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën në rastin ku ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha dhe katër zyrtarët tjerë të kësaj ministrie po akuzohen për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.

Hoxha po akuzohet se sa ishte në pozitën e ministres së MIE ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të krijimit të përfitimit pasuror për dy kompani.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjithashtu po akuzohen edhe zyrtarët e tjerë të MIE-së, Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë të siguruar nga Drejtësia Sot, e i cili është hartuar nga gjyqtari Arben Hoti, thuhet se pretendimet e palës mbrojtëse lidhur me provat dhe aktakuzën janë të pabazuara.

Në këtë vendim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë. Gjithashtu potencohet se nuk është kontestuese se të njejtit kishin cilësinë e personit zyrtar, ngase vepra penale për të cilën akuzohet kryhet vetëm nga personi zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në fund të vendimit thuhet se gjykata ka konstatuar se provat janë marrë në mënyrë ligjore nga organet e ndjekjes, të cilat prova kanë të bëjnë me aktivitetin e prokurimit publik, për të cilat aktivitete të akuzuarit kanë marrë veprime si persona zyrtar. Si rrjedhojë, gjykata ka konstatuar se aktakuza i përmban të gjitha kriteret ligjore dhe është e mjaftueshme për të kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktit akuzues, të përfaqësuar nga prokurorja Iliriana Çollaku – Tafa, ish-ministrja Hoxha, më datë 11.05.2018, ka tejkaluar kompetencat e saja duke dërguar kërkesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, tani i pandehuri Demush Shasha, nisjen e procedurave tenderuese për aktivitetin Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së, duke përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar dhe duke përcaktuar kompaninë “Majorelle PR and events” si operator me të cilin duhej të lidhej kontrata.

Aktakuza thotë se ky veprim është ndërmarrë ndonëse duke u bazuar në ligj kjo nuk ishte kompetencë e ministres dhe në këtë mënyrë operatorit të lartëcekur i ka mundësuar përfitim në vlerë prej 180 mijë eurosh. Ndërsa akti akuzues thotë se ish-ministrja Hoxha, më datë 21.02.2019 kishte marrë përsëri të njejtat veprime me qëllim të vazhdimit të kësaj kontrate.

Aktakuza gjithashtu thotë se e njejta akuzohet që ka vepruar në të njejtën mënyrë, për të njejtin aktivitet të prokurimit duke i mundësuar kompanisë tjetër “Madison Global Strategies LLC” përfitimin në vlerë prej më shumë se 150 mijë eurosh.

Lidhur me këto të procedura të tenderimit po akuzohen edhe Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MIE, Fitim Mustafa dhe dy Sekretarët e Përgjithshëm, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj. Sipas aktit akuzues ata kanë iniciuar dhe zhvilluar këto procedura tenderuese edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesat e ministres kanë qenë në kundërshtim me ligjin.

Në këtë akt akuzues i përfshirë është edhe Nuhi Osmani, i cili dyshohet se si UD i Sekretarit të Përgjithshëm në MIE ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Majorelle P

R and events”, me çrast i ka mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë prej 180 mijë eurosh.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët

Monitoruar nga Rinon Arifi