KGJK rishpall konkursin për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:09 / 07 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nën udhëheqjen e Kryesuesit, z. Albert Zogaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur takimin e 267-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.

Fillimisht, anëtarët e KGJK-së së bashku me Drejtorin e Programit “INL” kanë diskutuar rreth projektit të audio-video incizimit të seancave gjyqësore në të gjitha sallat e gjykimeve, i cili do të financohet nga ana e këtij programi.

Mbështetja nga “INL” u vlerësua lartë nga anëtarët e Këshillit, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, z. Shkëlzen Maliqi, theksoi se janë të gatshëm që të marrin të gjitha veprimet që ndihmojnë në implementimin e këtij projekti.

Më pas, takimi ka vazhduar me marrjen e vendimit për rishpalljen e konkursit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, për arsye se kandidati i vetëm që ishte në garë për këtë pozitë në konkursin paraprak, gjyqtari Agron Hoxhaj, nuk kishte arritur të merrte votat e nevojshme nga anëtarët e KGJK-së që të zgjidhej kryetar i kësaj gjykate.

Po ashtu, KGJK mori vendimin edhe për caktimin e anëtarëve të Komisionit Vlerësues për Intervistim, Vlerësim dhe Rekomandimin e kandidatëve për këtë pozitë. Kësisoj, anëtarë të këtij Komisioni u caktuan gjyqtarët Teuta Ibrahimi, Cerim Fazliji dhe Radojka Trifunovic, ndërsa Drita Rexhaj si anëtare rezervë.

Më pas, KGJK ka aprovuar ndryshim/plotësimin e vendimit KGJK.nr.255/2021, lidhur me përbërjen e Komisionit Vlerësues në konkursin për Gjyqtarin mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ashtu që në vend të gjyqtarit Sahit Krasniqi caktohet kryetari i porsazgjedhur i kësaj gjykate, gjyqtari Mustaf Tahiri.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte miratimi i propozimit nga kryetarja e Gjykatës Themelore Prishtinë, gjyqtarja Albina Shabani-Rama, që në kuadër të Akademisë së Drejtësisë, gjyqtarja Anita Krasniqi-Prenaj të jetë mentore e gjyqtares me mandat fillestar, Rrezarta Lleshaj.

Më pas, anëtarët e KGJK-së kanë diskutuar dhe janë dakorduar lidhur me rekomandimet e nxjerra nga takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

Rekomandimet që ka nxjerrë Asambleja kishin të bëjnë me këto çështje: Efekti i përhapjes së pandemisë si sfidë për mosmbajtjen e seancave gjyqësore me një numër të madh të palëve; Përfshirja e të dhënave të plota në aktgjykime;  Urdhër arrestet e lëshuara nga gjykatat; Procedura për lëshimin e letër rreshtimeve ndërkombëtare; Kërkesat për ekspertizat mjekoligjore; Strategjia e trajtimit të lëndëve të vjetra; Kthimi i garancioneve dhe depozitave në procedurën përmbarimore; Shërbimet telefonike dhe shfrytëzimi i veturave zyrtare; dhe Kompletimi jo i duhur i shkresave të lëndëve nga gjykatat themelore që dërgohen në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Sa i përket rekomandimeve për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, anëtarët e KGJK-së u dakorduan që ky institucion përmes një letre t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë për të parë mundësitë që gjykatat të caktojnë dhe të mbajnë seancat gjyqësore ku është një numër i madh i palëve, ashtu që këto palë paraprakisht të jenë të pajisura me kartela të vaksinimit ose me teste negative.

Kjo me të vetmen arsye që të mos zvarritet edhe me tutje trajtimi i rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rasteve të tjera në gjykatat e vendit, të cilat karakterizohen me një numër të madh të palëve në procedurë.

Sa i përket diskutimit lidhur me propozimin për kriteret e shpërndarjes automatike të lëndëve përmes SMIL-it, kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për mbledhjen e radhës, e cila është planifikuar të mbahet brenda këtij muaji.

Ndërsa, anëtarët e KGJK-së sot kanë miratuar Planin e veprimit për të siguruar kualitetin e të dhënave në SMIL dhe në Sistemin Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (SKQEP).

Më pas, KGJK ka themeluar grupin punues për hartimin e Protokollit mbi referimin e rasteve civile në procedurën e ndërmjetësimit nga gjykatat, i përbërë nga gjyqtarët Arjeta Sadiku, Afrim Shala, Dren Rogova, Armend Berisha dhe Zajrete Muhaxheri.

KGJK, në takimin e sotëm, ka zgjedhur gjyqtarin Agron Maxhuni në pozitën e Gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega Vushtrri, me mandat 5 vjeçar, i cili fillon të rrjedh nga dita e sotme.

Gjyqtari Maxhuni arriti të fitoj këtë garë në të cilën kishte kundër kandidat gjyqtarin Ferki Xhaferi, pasi që arriti të marrë shtatë nga tetë votat e anëtarëve të Këshillit që morën pjesë në votim.

Tutje, KGJK ka themeluar një komision ad hoc për vlerësimin e performancës së gjyqtares Liliana Stefanovic, si kandidate për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Ky komision do të përbëhet nga anëtarët e Këshillit, gjyqtarët Radojka Trifunovic, Arjeta Sadiku dhe Fidan Hoxha.

Pa prezencën e publikut, KGJK kishte në rend të ditës shqyrtimin e raportit mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2021GJTHPZ-ADGJTHP.nr.6/2021.

Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për mbledhjet e KGJK-së, linku nga takimi i kaluar:

Monitorues Liridon Salihi