Kërkohet hedhja e aktakuzës ndaj 5 zyrtarëve të KEK-ut, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

14:26 / 11 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këtë të hënë, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, është mbajtur shqyrtimi i dytë në rastin ndaj 5 zyrtarëve të KEK-tu të akuzuar për korrupsion dhe një personi i cili akuzohet për mashtrim, raporton Drejtësia Sot.

Zyrtarët e KEK-ut, Z.G., Q.R., R.G., A.H. dhe N.M., po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e përfaqësuar nga prokurori Bashkim Zeqaj, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke blerë reduktorë me KW ndryshe nga që është kërkuar me kërkesë dhe shkruar në fletë dërgesë dhe në faturë.

Ndërsa T.H. sipas prokurorisë dyshohet për veprën penale të mashtrimit, me ç’rast KEK-ut i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 53 mijë euro.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica është proceduar me elaborimin e kërkesave për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave nga ana e palës mbrojtëse.

Që të gjithë avokatët që kanë parashtruar pretendimet e tilla kanë kërkuar nga gjykata që kjo aktakuzë të hedhet poshtë si e pabazuar.

Pas dëgjimit të pretendimeve të mbrojtjes, gjyqtarja Krasniqi – Jashanica theksoi se gjykata do të marr aktvendim të veçantë për kërkesat e mbrojtjes.

Ndryshe, sipas aktakuzës të pandehurit Z.G., Q.R., dhe R.G. po akuzohen për veprën penale Keqpërdorim të Pozitës apo Autoritetit Zyrtar, duke kaluar kompetencat e tyre zyrtare për të përfituar dobi pasurore të kundërligjshmë, duke pranuar nga operatori Univers-M, katër reduktorë të 15 KW nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletë dërgesë dhe në fatura.

Gjithashtu, edhe të pandehurit A.H. dhe N.M. akuzohen për Keqpërdorim të Pozitës apo Autoritetit Zyrtar pasi që, A.H. si person zyrtarë dhe person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk ka bërë përcjelljen e kësaj kontrate ashtu siç është rregulluar me ligj, ndërsa N.M. ka nënshkruar këtë kontratë.

Kurse, i pandehuri T.H. akuzohet për veprën penale Mashtrim, pasi që si person përgjegjës i operatorit ekonomik Univers-M, duke fshehur fakte kishte mashturar KEK-un duke i dorëzuar reduktorë të 15 KW me çmim 2,600.00EUR për copë, ndërsa e kishte faturuar me çmim prej 16,000.00EUR për copë, duke i shkaktuar KEK-ut dëm prej 53,000.00EUR.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi