Jepet fjala hyrëse në gjykimin ndaj të akuzuarve për krim të organizuar me shitblerje të armëve dhe tregti të ndaluar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

15:16 / 18 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këtë të hënë, ka vazhduar gjykimin ndaj të akuzuarve I.M., V.I., N.G., B.S., S.S., N.A. dhe A.I., të cilët akuzohen për shitblerje të paautorizuar të armëve, tregti të ndaluar dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, raporton Drejtësia Sot.

Në seancën e udhëhequr nga gjyqtari Lutfi Shala është proceduar më fjalën hyrëse të palëve dhe dëgjimin e dëshmitarëve M.P dhe A.A.

Gjatë fjalës hyrëse, prokurorja speciale Fikrije Krasniqi Fejzullahu, nder të tjera theksoi se me dëshmitarët dhe provat materiale dhe jo materiale që do të administrohen në këtë gjykim, pa dyshim do të vërtetohet gjendja faktike dhe në mënyrë të plotë e të qartë do të vërtetohet teza e aktakuzës.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve, secili prej tyre, në fjalën hyrëse janë deklaruar se gjatë procesit gjyqësor do të vërtetojnë se të mbrojturit e tyre nuk kanë kryer veprat penale të cilat po ju vihen në barrë. Ata theksuan se në këtë gjykim nuk do të provohet me asnjë provë se të akuzuarit janë njohur mes vete dhe kanë vepruar si grup i organizuar kriminal.

Pas fjalës hyrëse seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitareve të propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në dëshminë e tij të dhënë para trupit gjykues, dëshmitari M.P., ndër të tjera ka deklaruar se gjatë vitit 2019 ka ofruar shërbime të kontabiliteti dhe financiare për kompaninë “Sim Logistik”, në bazë të kontratës, si dhe ka qenë i autorizuar përmes ATK-së për ta përfaqësuar.

Ndërsa dëshmitari A.A. në cilësinë e pronarit të rreth 50 farmacive në territorin e Kosovës ka deklaruar se ka pasur raste ku përmes shërbimit postar “Sim Logistik”, për të cilin flitet në aktin akuzues, ka pranuar mallra ndërsa pagesën e mallit e ka bërë përmes fakturave.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, gjyqtari Shala ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor dhe atë të radhës e ka caktuar me datë 01 nëntor 2021, në ora 09:30, ku pritet të dëshmojnë dëshmitarët M.K., I.M dhe B.M.

Sipas aktakuzës thuhet se të pandehurit në fjalë që nga periudha e panjohur kohore, deri më 21 mars 2019, në vazhdimësi, duke vepruar si grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga të pandehurit V.I., dhe I.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në role të ndara, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë dhe shitur mallra për të cilat nuk kanë pasur autorizim.

Duke i përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarëve, aktakuza sqaron se i pandehuri V.I., fillimisht kishte siguruar 25 pako me armë të llojit ‘’Glock Austria’’ dhe ‘’Sig Suer’’, nga një person tani për tani i panjohur, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyret e lokalit të tij në Fushë Kosovë, si dhe, disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit N.G., dhe B.S.

Po ashtu, sipas akuzës pas dy-tri ditësh i pandehuri V.I., sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H., punëtor në lokalin e tij në Fushë Kosovë, duke i thënë që këto pako t’ia jepte vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, pronar i së cilës është i pandehuri I.M., i cili i kishte marrë pakot dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik” në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit I.M., V.I. dhe N.G., i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.

Ndërkaq për të pandehurin B.S., tregohet që fillimisht shkon në depo, ku nga i pandehuri N.A., menaxher i kompanisë, i merr disa pako dhe pastaj takohet me të pandehurin S.S., të cili t’ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e policisë së Kosovës, të dy të pandehurve në veturat e tyre u konfiskohen pakot me medikamente, si dhe, në garazhën e banesës së të pandehurit B.S., konfiskohen edhe pako tjera me medikamente.

Ndërsa për të pandehurit B.S. dhe N.G., thuhet se nga i dyshuari A.I., janë furnizuar me barëra pa banderola për qëllim shitjeje nëpër barnatore të ndryshme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Në fund nga krejt ky operacion i Policisë njoftohet që gjatëkontrollimit në depon e “Sim logistik”, konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, si dhe një sasi medikamentesh ku vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit B.S. dhe S.S., është rreth 17.000 euro.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast

Monitoruar nga Elvira Rrahmani