Intervistohen katër kandidatë në konkursin për avancimin e dy prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjilan

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Liridon Salihi

13:45 / 12 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Ka përfunduar faza e intervistimit të kandidatëve-prokurorëve Shefik Memeti, Bahtije Ademi, Leonora Shemsiu-Kadriu dhe Rozelinda Manastiri, të cilët kanë aplikuar në konkursin për avancim e dy prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjilan, raporton Drejtësia Sot.

Aktualisht, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjilan janë të angazhuar tre prokurorë, ndërsa të gjithë kandidatët e lartcekur janë duke e ushtruar detyrën e Prokurorit të Shtetit në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm të kësaj Prokurorie.

Intervistimi i këtyre kandidatëve u bë nga Komisioni i përbërë nga kryetarja Sevdije Morina, zv. Kryeprokurore  e Shtetit, dhe anëtarët Merita Bina-Rugova dhe Xhevdet Bislimi.

Shpallja e konkursit për avancimin e dy prokurorëve të shtetit në Prokurorinë Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda, ishte bërë në bazë të vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, nën shenjën KPK.Nr.608/2021, datë 24 gusht 2021.

Kurse, të gjithë kandidatët e interesuar, kanë mund të paraqesin kërkesat e tyre për avancim në këtë pozitë nga data 30 gusht deri më 13 shtator 2021.

Kërkesa për avancim përgatitet nga vetë kandidatët-prokurorët e shtetit, e njëjta përmban arsyen për avancim dhe të dhëna se nga cili departament, i cilës Prokurori, në cilin departament të cilës Prokurori ka kërkuar të avancohet.

Për avancim në pozitë e prokurorit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore, kandidatët duhej t’i plotësonin këto kritere: Të kenë mandat të përhershëm; Të kenë vlerësim pozitiv të performancës; dhe Të mos kenë të shqiptuar masë disiplinore, përveç qortimit dhe vërejtjes jo publike me shkrim.

KPK do të marrë parasysh edhe pjesëmarrjen në trajnime që ndërlidhen me procedurën për të mitur, mjetet juridike, dhe praktikat juridike të gjykatave vendore dhe ndërkombëtare.

Ky konkurs organizohet në bazë të Rregullores Nr. 03/2016 për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, dhe është duke u monitoruar nga Projekti “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i implementuar nga GLPS dhe i financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Monitorues Liridon Salihi