Gjyqtarët Burhan Berisha dhe Burim Çaka, janë dy kandidatët që u intervistuan lidhur me konkursin për pozitën e Gjyqtarit Mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, raporton Drejtësia Sot.
Dy kandidatët u intervistuan nga Komisioni për intervistimin, vlerësimin si dhe rekomandimin e kandidatëve për këtë pozitën, i përbërë nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, dhe anëtarët Arjeta Sadiku dhe Cerim Fazliji.
Në bazë të të dhënave nga ueb portali i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), kandidati Burhan Berisha, më 31 korrik 2017, është emëruar si gjyqtar i lëmisë civile në Gjykatën Themelore Ferizaj, ndërsa nga muaji maj 2019 është gjyqtar në Degën e Kaçanikut.
Gjyqtari Berisha, ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës në vitin 2007, kurse provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2013. Ka të kryer edhe provimin për përmbarues privat.
Nga viti 2009 deri në vitin 2010, kreu praktiken profesionale në Gjykatën Komunale në Kaçanik, ndërsa nga viti 2010 deri më 2014, ka punuar në një zyre për shërbime juridike dhe më vonë si avokat. Kurse nga viti 2014 deri në korrik 2017, ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Themelore Ferizaj.
Ndërsa kandidati Burim Çaka, më 31 korrik 2017 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Themelore Ferizaj – dega Kaçanik në lëmine penale.
Gjyqtari Çaka ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës në vitin 2006, kurse provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2013, ndërsa ka të kryer edhe provimin për përmbarues privat.
Nga viti 2009 deri në vitin 2010, kreu praktiken profesionale në Gjykatën Komunale në Kaçanik, ndërkaq nga viti 2010 deri më 2014, ka punuar në një zyre për shërbime juridike dhe më vonë si avokat. Nga viti 2014 deri në korrik 2017, ka qenë Drejtor i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Kaçanikut.
Kujtojmë që konkursi për Gjyqtar mbikëqyrës në Kaçanik ka qenë i hapur nga data 10 deri më 24 shtator 2021, ndërsa vendimi për shpalljen e tij është marrë në takimin e KGJK-së, i mbajtur më 2 shtator 2021.
Kandidat për Gjyqtar mbikëqyrës mund të aplikojnë dhe emërohen vetëm gjyqtarët që vijnë nga radhët e asaj Gjykate Themelore duke përfshirë dhe degët e saj, të cilët nuk kanë qenë të emëruar më herët në këtë pozitë.
Konkurset për zgjedhjen e Gjyqtarëve Mbikëqyrës organizohen sipas dispozitave të Rregullores Nr. 09/2016 mbi Procedurat e Zgjedhjes, Emërimit, Vlerësimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren 14/2016, Rregulloren 17/2016, Rregulloren 05/2017 si dhe Rregulloren Nr. 01/2020.
GLPS/Drejtësia Sot në vazhdimësi monitoron dhe raporton për këto konkurse, link
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus