Gjyqtarët Nikola Kabašić dhe Zlatica Vukasinović janë dy kandidatët që kanë aplikuar për ngritje në detyrë, nga niveli i gjykatave themelore në Gjykatën e Apelit të Kosovës – Divizioni në Mitrovicë, raporton Drejtësia Sot.
Intervistimi i tyre u bë nga Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për ngritje në detyrë, për dy gjyqtarë nga radhët e gjyqtarëve të komunitetit serb, në Divizionin e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë.
Paneli i cili intervistoi kandidatët Kabašić dhe Vukasinović ishte i përbërë nga gjyqtarët Kreshnik Radoniqi, Teuta Ibrahimi, Agim Maliqi, Cerim Fazliji, dhe Qerim Ademaj.
Ndërkaq, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit me KGJK-në, procesi i intervistimit është monitoruar nga GLPS/Drejtësia Sot.
Aktualisht, kandidati Nikola Kabašić është gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ndërsa kandidatja Zlatica Vukasinović është gjyqtare në Gjykatën Themelore të Mitrovicës-Dega në Leposaviq.
Konkursi i brendshëm për ngritjen në detyrë të dy gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Kosovës – Divizioni në Mitrovicë, ishte shpallur sipas vendimit të datës 24 mars 2021, dhe ka qenë i hapur nga 29 mars deri më 13 prill 2021.
Ky proces zhvillohet në kuadër të Rregullores 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve (të ndryshuar dhe plotësuar).
Pas përfundimit të intervistimit të kandidatëve, Paneli kryen vlerësimin e kandidatëve dhe vendos lidhur me rekomandimin e tyre në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili më pas mund të vendos që të njëjtit t’i ngrit në pozitat sipas konkursit të shpallur.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus