Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D., raporton Drejtësia Sot.
Sipas komunikatës për media të kësaj gjykate, kjo kërkesë ishte parashtruar nga PSRK për shkak të dyshimit te bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar” lidhur me veprat penale “Kontrabandim me mallra”, “Shmangie nga tatimi” si dhe veprës penale “Tregtia e ndaluar”.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin veç e veç.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës
Kujtojmë se të gjithë të pandehurit që iu është caktuar masa e paraburgimit ishin arrestuar më datë 13 tetor 2021, gjatë operacionit policor që ishte realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Fillimisht, Policia e Kosovës kishte njoftuar se gjatë këtij operacioni policor, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb, dhe një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Deri në këtë faze, Policia kishte arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona me inicialet R.K., A.K., M.N., I.Z., A.D., M. Dz., I.H., dhe M.L.
Po ashtu ishin sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.
Më pas, Policia kishte njoftuar se si rezultat i vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve dhe hetimeve policore me prokuroritë kompetente, pas identifikimit të mëhershëm të pesë (5) personave të dyshuar, tani janë identifikuar edhe pesë (5) persona të tjerë të dyshuar, ku numri i tyre arrin në dhjetë (10) persona të dyshuar të përfshirë në aktivitete kriminale të kontrabandës me mallra.
Në këtë rast, dhjetë personat të cilët janë në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës janë me inicialet I.V., V.H.,M.H., M.V., A.N., B.Z., H.S., F.S., F.L., dhe M.R.
Monitorues: Liridon Salihi
Lajmet në fokus