Gjykata Themelore në Pejë, sot ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj Qamil Delija, zyrtar policor në Klinë, i akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Më aktgjykimin e shpallur nga gjyqtari Murat Hulaj, i akuzuari u dënua me 6 muaj burgim duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak por ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit Delija, u zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 2700 euro.
Gjyqtari Hulaj, shtoi se në dënimin me gjobë prej 2700 euro të akuzuarit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak që i bie se shuma prej 1800 euro është përmbushur ndërsa i kanë mbetur edhe 900 euro për tu paguar në afat prej 90 ditësh.
Sipas aktakuzës thuhet se me 23.05.2021 në Klinë, i akuzuari Qamil Delija, në cilësi të personit zyrtar të policit me qëllim të përfitimit për veti dhe shkaktimit të dëmit të personit tjetër, V.K dhe në kundërshtim me Ligjin mbi Policin nr.04/L-076 neni 11 par. 5, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare pasi i njëjti përmes dëshmitarit P.D siguron lejen e qarkullimit të veturës pronë e të dëmtuarit V.K., librezën e qarkullimit dhe në vend që të njëjtën ta dorëzoi në Polici si person zyrtar apo t’ia kthejë të dëmtuarit, ai kërkon nga i dëmtuari që për kthimin e librezës t’ia japë 250 euro ose në të kundërtën nuk do t’ia kthej librezën.
Gjithnjë sipas aktakuzës të cilën e posedon Drejtësia Sot, thuhet se i dëmtuari e njofton IPK-në, dhe pas disa bisedave telefonike mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, ata takohen përballë pompës së derivateve, me ç’rast i dëmtuari V, i dorëzon të pandehurit shumën prej 250 euro, ai ia kthen librezën e qarkullimit, ku në atë moment arrestohet nga hetuesit e IPK-së.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast,
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus