Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës, Nebi B. Sheqiri, të cilit i ngarkohen veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Manipulim me prova”, raporton Drejtësia Sot.
Seanca e sotme e udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyqi, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.A, zyrtar policor në drejtorin e teknikës kriminalistike.
Dëshmitari F.A., ka deklaruar se ka përpiluar listën e dëshmisë dhe provave në rastin e hetimit për Nebi Sheqiri, dhe ka sqaruar me foto se ku gjendet “ormani” dhe ku është gjetur dosja për të cilën po bëhet fjalë.
Dosja në fjalë sipas dëshmitarit është gjetur në atë “orman” të hapur, pra pa dyer e në të cilën kanë pasur qasje të gjithë dhe po aty janë lënë shkresa të vjetra nga të gjithë, pra nuk është gjetur në “oramanin” e tij personal që mbante mbishkrimin e emrit dhe mbiemrit të Nebi Sheqiri.
Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është bërë edhe administrimin i provave materiale të propozuara nga prokurorja e shtetit, e për të cilat mbrojtësi i të akuzuarit ka paraqitur vërejtjet tij ndaj këtyre provave dhe i ka kundërshtuar në kuptim të mbrojtjes.
Pastaj shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e mbrojtës së të akuzuarit, i cili ndër të tjera ka sqaruar në pika të shkurta punën e tij si zyrtar policor ndër vite, e për ditën kritike derisa ka qenë në pushim vjetor është ftuar nga inspektorati policor dhe vetëm ka biseduar me të gjithë njëkohësisht, dhe pastaj të njëjtit kanë kërkuar ta hapi “ormanin/kasetën” e tij personal, të cilën vetëm e kanë shikuar e pastaj në “ormanin” e hapur që ka qenë dhe pa dyer e kanë gjetur raportin e AFIS-it.
I njëjti ka theksuar po ashtu, se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka qenë i njoftuar se në çfarë cilësie po pyetet, dhe në fund e kam nënshkruar një letër të cilën nuk ka ditur fare se çfarë përmban e as nuk i ’u është lexuar i njëjti.
Pas përfundimit të orarit të rregullt të punës është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor dhe seanca e radhës është caktuar për datën 12 nëntor 2021, në ora 14:15, në të cilën do të procedohet me fjalën përfundimtare.
Sipas aktakuzës, të përfaqësuar nga prokurorja e shtetit Dulina Hamiti, Nebi Sheqiri, në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor të Veriut në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, i kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës 2012-2016, derisa e kishte hetuar një rast vjedhjeje të rëndë, kishte manipuluar me prova dhe e kishte dorëzuar kallëzimin penal kundër personave “NN”, por që kryerësit nuk diheshin.
Të njëjtin kallëzim penal kundër “NN” e kishte dërguar në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë, më 13 nëntor 2009.
I pandehuri Sheqiri, pas marrjes së raportit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ku gjurma e vijave papilare e skanuar në sistemin kompjuterik, i përkiste personit Besim Berisha, nuk e kishte dorëzuar në prokurori me kallëzim penal shtesë, por e kishte lënë në zyrën e tij.
Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më parë këtë rast
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus