Drejt fundit gjykimi ndaj zyrtarit të pyjeve në Kamenicë dhe menaxherit të kompanisë private

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

14:31 / 20 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, të mërkurën është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Fetiu, roje pylli në Kamenicë, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe ndaj Kamer Lecit, menaxher i një kompanie private, i akuzuar për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, raporton Drejtësia Sot.

Në fjalën përfundimtare, prokurori i çështjes Shaban Spahiu tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, duke theksuar se me provat që janë siguruar gjatë hetuesisë të akuzuarit e kanë kryer veprën penale.

Prokurori Spahiu, shtoi se edhe përkundër faktit se të akuzuarit nuk e pranojnë veprën penale, nga provat e lëndës vërtetohet në mënyrë të saktë, duke thënë se mbi këtë bazë konsideron se me veprimet e të akuzuarve ekzistojnë elementet e veprës penale.

Prokurori Spahiu, në fund i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën përfundimtare e kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe i propozuan trupit gjykues që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 22 tetor, në ora 13:00, njoftoi kryetari i trupit gjykues Sabedin Mushica.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Skender Fetiu, duke qenë person zyrtar-roje pylli në Kamenicë, po ashtu i autorizuar për dhënien e fletë përcjellëse vepër transportin e masës drurore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci BI”, në Kamenicë, i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve.

I akuzuari me veprimet e tij iu ka mundësuar personave deri më tani të panjohur, që të marrin drunjë, me ç’rast i ka shkaktuar autoritetit pyjor në Kamenicë dëm material në shumën mbi16.000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Kamer Leci, duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci BI”, përmbikqyrjen e punimeve në fshatin Krilevë, i akuzuari pas njoftimit nga kompania e cekur se i ka ndërprerë punimet e më tejme, nuk ka vepruar në harmoni me udhëzimin administrativ me numër 06/2010, duke iu mundësuar personave të tjerë marrjen e masës drurore, me ç’rast autoritetit pyjor në Kamenicë i është shkaktuar dëm material në shumën mbi 16.000 euro.

Drejtësia Sot ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi