Dështon për të dytën herë radhazi gjykimi në rastin ndaj ish-drejtorit të “Llamkosit” dhe të tjerëve

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

10:51 / 07 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Për shkak të mungesës së dy të akuzuarve, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, ka dështuar përsëri të mbahet seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-drejtorit të ndërmarrjes së re “Llamkos” dhe të tjerëve, raporton Drejtësia Sot.

L.B., D.M., I.P. dhe M.C. po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, ndërsa L.B. po gjykohet edhe për shpërlarje të parave.

Me të filluar seanca, gjyqtari i rastit Arben Hoti, konstatoi mungesën e të akuzuarve L.B dhe M.C.

Për mungesën e L.B., mbrojtësi i tij avokati Ramë Gashi tha se i mbrojturi i tij e ka njoftuar se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Ndërsa sa i përket mungesës së të akuzuarit M.C., gjyqtari Hoti potencoi se ai ka pranuar ftesën por mungesën nuk e ka arsyetuar. Ndërsa, mbrojtësi i tij avokati Xhafer Maliqi tha se nuk ka pasur kontakt me të mbrojturin e tij.

Nën këto rrethana seanca e sotme është shtyrë, ndërsa gjyqtari Hoti theksoi se për seancat e radhës me 11 dhe 12 nëntor do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim nga ana e policisë për të dy të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale, të datës 9 tetor 2020, e cila përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli, të akuzuarit D.M, A.K. dhe I.P. po akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, pasi që si bashkëpronarë të një kompanie nga Ferizaj, gjatë vitit 2005 i kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive, në vlerë prej më shumë se 243 mijë euro.

Sipas aktakuzës, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar për një kompani fiktive si blerës, në vlerë të përgjithshme prej më shumë se 487 mijë euro, e më pastaj një pjesë e mallit në vlerë prej më shumë se 220 mijë euro është transportuar në depon e një fabrike në Ferizaj, me urdhërin e të akuzuarit L.B i cili në këtë kohë ishte drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”. Aktakuza më tutje thotë se ky mall asnjëherë nuk është paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”.

L.B., gjithashtu akuzohet se si drejtor i ndërmarrjes “Llamkos”, ka faturuar shitjen e mallit – llamarinë e zinkur për disa kompani, i cili mall është transportuar tek to por nuk është është paguar asnjëherë. Akti akuzues pretendon njëai ndër kompanitë ku është transportuar ky mall, ka qenë edhe kompania ku pronar ishte i pandehuri tjetër M.S..

Aktakuza sqaron se në periudha të ndryshme, nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, me urdhër të të akuzuarit L.B iu ishin paguar personit V.J., shuma prej rreth 300 mijë euro.

Ndërsa i akuzuari L.B., po akuzohet edhe për shpërlarje të parave, pasi që kishte përfituar nga të akuzuarit I.P., A.K. dhe D.M. një parcelë në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal. Sipas aktakuzës, këta persona kishin lidhur kontratë për shitblerje të kësaj parcele me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, prandaj edhe shuma e paraqitur në kontratë asnjëherë nuk ishte paguar nga i akuzuari L.B.

L.B po ashtu akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim fshehjes së burimit ilegal të saj, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve D.M., A.K. dhe I.P., ka pranuar shumën prej 100 mijë eurove nga i akuzuari D.M.

Përveç kësaj, aktakuza gjithashtu sqaron se L.B kishte themeluar një kompani, duke deponuar shuma të ndryshme të hollave për të fshehur apo maskuar burimin ilegal të mjeteve financiare të përfituara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Vlen të theksohet se dy pika të aktakuzës në këtë rast janë hudhë poshtë për shkak të parashkrimit absolut, ndërsa poashtu është pushuar procedura penale ndaj të akuzuarit A.K. për shkak të vdekjes së tij.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi