Dëgjohet eksperti financiar në gjykimin ndaj ish-zyrtarit të Postës së Kosovës, i dyshuar për përvetësimin e 71 mijë eurove

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

12:38 / 22 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këtë të premte, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, ka vazhduar rigjykimin në rastin ku ish-zyrtari i Postës së Kosovës, Enver Ajeti, po akuzohet për përvetësim në detyrë, raporton Drejtësia Sot.

Ajeti akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se në cilësinë e personit zyrtar, kontroller të zyrës postale në regjionin e Podujevës – Posta e Kosovës, nuk kishte dorëzuar në bankë pazaret ditore gjatë një periudhe kohore në vlerë prej më shumë se 71 mijë euro.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari Alban Ajvazi, është proceduar me dëgjimin e ekspertit financiar R.I., i cili ishte kryetar i komisionit për plotësimin e ekspertizës financiare të këtij rasti.

Duke sqaruar gjerësisht të gjeturat e ekspertizës financiare si dhe plotësimin e saj, eksperti ndër të tjera theksoi se nga shkresat e lëndës dhe informacionet e marra nga palët ndërgjyqëse është konstatuar se nuk ka prova për mungesën e mjeteve në vlerën e përcaktuar në aktakuzë.

Për shkak të angazhimeve të anëtarëve të trupit gjykues gjatë pasdites, kjo seancë është ndërprerë dhe ajo e radhës është caktuar më datë 10 dhjetor 2021, në ora 09:30.

Kujtojmë se, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë rast në rigjykim për arsye të ekspertizave financiare sepse nuk kishin qenë të qarta në shumën e përvetësuar nga i akuzuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurori Shkëlzen Ibrahimi, Enver Ajeti në cilësinë e personit zyrtarë kontroller i zyrës postare në regjionin e Podujevës – Posta e Kosovës, i cili ka pasur për detyre menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare te arkës, nuk ka dorëzuar në bankë pazaret ditore gjatë periudhës kohore 26.04.2013 dhe 02.05.2013. Sipas aktakuzës këtë veprim i akuzuari e ka bërë për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe nga arka ka përvetësuar shumën prej 71.744,85 Euro.

Me këto veprime i njëjti nga prokuroria themelore akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët

Monitoruar nga Rinon Arifi