Dëgjohet edhe një dëshmitar në gjykimin për 113 kg drogë-heroinë

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

11:08 / 05 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku po akuzohen personat me iniciale Xh.Sh.,S.Sh. dhe I.S., se kanë formuar një grup kriminal me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm me shitblerje të narkotikëve.

Ndërsa të pandehurit A.G. dhe L.Z. po akuzohen se kanë ndihmuar në forma të ndryshme këtë grup, raporton Drejtësia Sot.

Në seancën e sotme gjyqësore dha dëshminë e tij dëshmitari i ftuar nga ana e Prokurorisë me inicialet M.M.. Por vlen të theksohet se në seancën e të datës 7 shtator 2021, kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj kërkoi nga monitoruesit që mos të publikohen dëshmitë e dëshmitarëve dhe të përdorën vetëm inicialet e tyre.

Njoftojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës e përfaqësuar nga prokurorja Florije Shamolli, po akuzon Xh.Sh., S.Sh. dhe I.S. se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë, të cilat fillimisht i kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xh.Sh. dhe I.S., gjithashtu po akuzohen edhe për veprën penale“Legalizim i përmbajtjes së rreme”, kjo për arsye se pasitë njëjtëve i’u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, kanë paraqitur fakte te rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, A.G. po akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ju ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke jubërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmësh pas kryerjes së veprës penale” dhe “Falsifikim i dokumentit”.

Në këtë aktakuzë ishte i përfshirë edhe L.Z., të cilit i ngarkohet vepra penale “Mashtrimi”, kjo ngase pas vdekjes së një anëtaritë këtij grupi, kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto sallonit që i’a kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit. I njejti, meqenëse kishte pranuar fajësinë në seancat e kaluara, ishte dënuar nga gjykata me 1 vit burgim me kusht dhe 5000 euro gjobë.

Drejtësia Sot ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast

Monitoruar nga Rinon Arifi