Dëgjohen edhe tre dëshmitarë në rastin për mashtrim me viza pune në Gjermani

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

12:02 / 21 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në ditën e sotme ka vazhduar gjykimi ndaj ish deputetit M.Z., I.K, dhe E.K, në rastin e njohur si “Vizat”, raporton Drejtësia Sot

Të njëjtit janë duke u gjykuar për shkak të veprave penale mashtrimi, pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi.

Në këtë seancë të udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve F.R., N.A. dhe A.D., të cilët ishin të propozuar nga pala mbrojtëse.

Dëshmitari i parë që u dëgjua ishte F.R. i cili ndër të tjera ka theksuar se të akuzuarit M.Z dhe I.K, kishin biseduar me të lidhur me blerjen e shtëpisë së vëllait të tij në lagjen Veternik. Ai tha se sipas M.Z qëllimi i blerjes së asaj shtëpie ishte për ta bërë nje televizor. Por edhe pse marrëveshja për blerjen e saj ishte bërë, e njëjta nuk është realizuar asnjëherë.

Ndërsa dëshmitari N.A. i cili deri në vitin 2015 kishte punuar me të akuzuarin E.K, si menaxher i sigurimit fizik në kompaninë e tij, ka deklaruar se pasi qe kompania e tyre ka pasur probleme financiare, i akuzuari E.K, kishte kërkuar borxh nga M.Z, në shumen prej mbi 100 mije eurosh. Ai tha se këto para pastaj i’a kishte kthyer duke e kompensuar me banesë në objektin “Nartel” në Prishtinë.

Më pas seanca vazhdoi me dëgjimin edhe të dëshmitarit A.D., i cili ndër të tjera pohoi faktin se i E.K i kishte kërkuar para borxh M.Z, për të u’a paguar pagat punëtorëve të kompanisë së tyre.

Ndërsa nga trupi gjykues u aprovua propozimi i të akuzuarit M.Z, që në seancën e radhës, të datës 22 tetor 2021, në ora 09:00, të dëgjohen dëshmitarët E.B dhe A.N, që të dy zyrtar policor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të përfaqësuar nga prokurori Atdhe Dema, të akuzuarit M.Z dhe I.K nga viti 2016 e deri në mars të 2017, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm pasuror kanë regjistruar biznesin “I.K & M.Z”, si agjencion punësimi.

Ata kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, përmes emisionit “Pa Rrotlla”, duke i mashtruar 900 aplikues për viza pune. Të akuzuarit si bashkëpronar të biznesit, me dashje direkte i janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë të përgjithshme prej rreth 59,981.85 euro.

I akuzuari M.Z me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të përfituara nga mashtrimi me viza pune, dhe shmangies nga tatimi ka bërë 11 transaksione në shumë të përgjithshme prej 153.901.00 euro në llogarinë e kompanisë “ENK & CO”, pronë e E.K.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Gjykata e Apelit, kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre. Gjykata e shkallës së dytë kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila i kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës.\

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues në përbërje prej kryetarit Vesel Ismaili me anëtarët Naser Foniqi dhe Fatime Dërmaku.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rastin

Monitoruar nga Elvira Rrahmani