Dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë në rastin ndaj ish-gjyqtarit Rafet Ismaili i akuzuar për ushtrim ndikimi

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Donjeta Pllana

14:01 / 26 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në seancën e sotme pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u dëgjuan edhe dëshmitarët R.K., dhe V.Sh., në procesin e rigjykimit ndaj Rafet Ismailit dhe Blerim Gashit, të akuzuar për veprën penale ‘Ushtrim ndikimi’, raporton Drejtësia Sot.

Ish gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish polici Blerim Gashi, akuzohen se duke shfrytëzuar pozitat e tyre kanë marrë të holla dhe kanë ushtruar ndikim në persona të tjerë me qëllim të shtyerjes së ekzekutimit të dënimit për tani dëshmitarin F.Z.

Dëshmitari R.K., i cili me profesion ishte mjek, deklaroi se të akuzuarin Rafet Ismaili e njeh ngase me kërkesën e Nikolla Kabasicit kishte kontrolluar një familjar të tijin. Ndërkaq që i njejti përveç atëherë nuk ka kërkuar kurrë ndonjë favor nga dëshmitari. Ndërkaq që dëshmitarin F.Z., në bazë të të cilit ka filluar ky rast deklaroi se nuk e njeh fare.

Poashtu në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe zyrtari policor V.Sh., përgjegjës për përgjimet në këtë çështje penale. I njejti deklaroi se nuk ka dëgjuar asnjëherë në përgjime që i akuzuari Ismaili ti ketë kërkuar të holla dëshmitarit F.Z., me qëllim që i njejti ti ndihmoj në çështjen e tij penale. Poashtu në raport me të akuzuarin Gashi në pyetjet e mbrojtjes deklaroi se nuk e ka dëgjuar asnjëherë të përmend ndonjë gjyqtar të Gjykatës së Apelit ose Gjykatës Supreme. Në shumë çështje i njejti u deklarua se nuk i kujtohen saktë ngase ka kaluar një kohë e gjatë mirëpo të gjitha ashtu siç kanë qenë i ka dokumentuar në transkripte të përgjimeve.

Vërejtje në deklaratën e dëshmitarit V.Sh., kishin mbrojtja e të pandehurëve ngase sipas tyre dëshmitari hezitonte të përgjigjej në pyetjet për të cilat veçse ka njohuri.

Ndryshe në këtë seancë në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabasic, për të cilën Drejtësia Sot ka raportuar më herët.

Për këtë çështje penale ishte caktuar paraprakisht edhe një seancë për ditën e nesërme me datë 27 tetor e cila u anulua ngase dëshmitarët që ishin planifikuar për tu dëgjuar u përfunduan ditën e sotme. Poashtu një kërkesë për afat shtesë në drejtim të përgaditjes së mbrojtjes u kërkua edhe nga palët në procedurë ashtu që gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj caktoi seancën e radhës me date 03 dhjetor me fillim nga ora 09:30.

Kujtojmë se ish gjyqtari Rafet Ismaili dhe ish polici Blerim Gashi, janë dënuar për veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’, nga Departamenti Special i kësaj gjykate duke i’u shqiptuar të njejtëve dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje për 2 vite e 6 muaj, secilit veç e veç. Po ashtu, të njejtit janë dënuar me gjobë nga 2 mijë euro, secili veç e veç, si dhe me dënim plotësues, gjykata të akuzuarve ju ka shqiptuar ndalimin e ushtrimit të profesionit në administratën publike në kohëzgjatje prej 2 viteve, e cila do të ekzekutohet pas përfundimit të dënimit kryesor.

Të akuzuarit me vendimin e shkallës së parë poashtu u obliguan që të kompenzojnë buxhetin e Republikës së Kosovës, ashtu që i pandehuri Ismaili shumën prej 1500 euro, kurse i akuzuari Gashi shumën prej 1000 euro, pasi që të njejtat kanë qenë të holla të Policisë së Kosovës, me të cilën janë stimuluar veprat penale.

Gjykata e Apelit me vendimin APS.nr.10/2021 të datës 22 prill 2021, ka anuluar aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë PS.nr.14/2020 të datës 18 dhjetor 2020, dhe cështjen e ktheu në rigjykim të njejtës gjykatë. Gjykata e Apelit në arsyetim theksoi se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), ngaqë arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitivin, dhe njëherit mungojnë edhe arsyet për faktet vendimtare ngase ato që janë dhënë nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera të lëndës.

Gjykata e Apelit poashtu theksoi se aktgjykimi i shkallës së parë konsiston edhe në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës, së përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca, Ismaili më datën 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1.500 euro, me qëllim që të ushtrojë ndikimi të pa drejtë te Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të dates 26.07.2018 ndaj dëshmitarit F. Z., në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësinë e zyrtarit policor në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendim marrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28.08.2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1000 euro me qëllim që i akuzuari të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26.07.2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e dhjetë (10) muaj.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Monitoruar nga Donjeta Pllana