Janë dëgjuar dëshmitarët S.A., dhe G.P., në gjykimin ndaj 12 personave të akuzuar për krim të organizuar lidhur me armë, raporton Drejtësia Sot.
Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, dhe Mentor Fazliu, akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Gjatë deklarimit të tij G.P., theksoi se nga këtu të akuzuarit e njeh vetëm Nuhi Mazrekun, të cilin e kishte bashkëluftëtar në luftë. Ai theksoi se është takuar disa herë me të akuzuarin Mazreku, dhe njëhere edhe kishte blerë armë nga i njejti, të cilën armë e ka me leje, mirëpo kjo ishte para se të ekzistonin poligonet e armëve në vendin tonë. Ndërkaq që i njejti foli edhe për njërin nga takimet e fundit që e kishte pasur me të akuzuarin Mazreku, i cili i kishte ofruar për ta blerë një armë mirëpo ai kishte refuzuar. Sa i përket asaj se a i ka pranuar ndonjëherë Mazreku se po mirret me armë, i njejti u deklaru se nuk i kujtohet të ketë thënë diçka të tillë.
Tutje u dëgjua edhe dëshmitari S.A., i cili theksoi se nga këtu të akuzuarit e njeh vetëm Mentor Fazliun dhe Milaim Shabanin si pronar i kafes të cilës ai e frekuentonte. Në lidhje me të njejtit theksoi se asnjëherë nuk kishin folur për armë me të, i cili deklarim i tij ishte në kundershtim me deklarimet që i njejti i kishte dhënë në Policinë e Kosovës. Në lidhje me këtë çështje Prokurorja Speciale Merita Bina Rugova, tha se do të ndjek hapat e mëtejmë ligjor në lidhje me deklarimin e tij.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitarja D.F., e cila mbeti për tu dëgjuar në seancat e radhës. Me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarëve të lartcekur gjyqtarja e çështjes Suzana Çerkini, ndërpreu seancën e sotme për të vazhduar me datë 05 nëntor me fillim nga ora 09:30.
Kujtojmë së në këtë cështje penale akuzohen edhe Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Sami Kelmendi, Edon Bytyqi, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku dhe Besim Jovori, të cilët kanë pranuar fajësinë për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, për të cilët gjykata ka marrë verdikt final.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, Albert Fazliu, Advan Sopa, Përparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, dhe Petrit Morina gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24.07.2019, në Ferizaj, Prishtinë dhe në vende tjera në territorin e Republikës së Kosovës, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar kriminal dhe si bashkim i strukturuar, me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import të kundërligjshëm të armëve.
Të pandehurit e lartcekur me qëllim që vetës apo personit tjetër ti mundësojnë përfitime financiare të kundërligjshme, duke vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët nr. 05/L-022, ashtu që në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm dhe varësisht rolit të tyre kanë kontribuar në këtë aktivitet kriminal.
Gjithmonë sipas aktakuzës, i pandehuri Kirman Ibishev ne rolin e furnizuesit, varësisht nga porositë, siguronte municion nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Kosovë. Porosia bëhej nga Albert Fazliu dhe Milaim Shabani kurse përcilleshin deri në kufi nga Kirman Ibishev.
Armët pastaj i merrte Advan Sopa si ndërmjetësues dhe i barte në Prishtinë te i pandehuri Albert Fazliu dhe në Ferizaj te i pandehuri Milaim Shabani.
I pandehuri Albert Fazliu bashkë me të pandehurit Përparim, Mentor, Petrit, Gazmend dhe Arben Fazliu në puntorinë e tyre i modifikonin këto armë nga armë me gaz në armë të tjera dhe i shisnin te të pandehurit tjerë Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina të cilët këto armë i shisnin pastaj te persona të tjerë.
Ndërkaq, të pandehurit Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Sami Kelmendi, nga data e pa caktuar e deri më 24.07.2019, në shtëpitë e tyre secili veç e veç kanë mbajtur pa autorizim armë dhe municion të llojeve të ndryshme, me ç’rast të njëjtat i janë konfiskuar gjatë ditës së kontrollit nga Policia e Kosovës.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Donjeta Pllana
Lajmet në fokus