Gjykata Themelore në Gjakovë më 1 qershor 2021 i kishte shpallur fajtor drejtorin e Drejtorisë̈ së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, si dhe zyrtarin e po kësaj drejtorie, Agron Gojani, të akuzuar veç e veç për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Dy të akuzuarit, konkretisht Arben Bakalli akuzohej se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës në kundërshtim me ligjin kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Agron Gojani, zyrtar i po kësaj drejtorie e kishte nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në Kompleksin Orize në Gjakovë.
Kësisoj, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 3000 eurosh.
Kurse, zyrtari i po kësaj drejtorie Agron Gojani, nga ana e gjykatës së Gjakovës ishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 2000 eurosh.
Përveç kësaj, ndaj të akuzuarve Bakalli dhe Gojani, iu ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ai i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Drejtësia Sot ka siguruar aktgjykimin e përpiluar më 30 gusht 2021, ku sqarohet se gjykata me rastin e administrimit të të gjitha provave ka ardhur në përfundim së të akuzuarit Arben Bakalli, dhe Agron Gojani, kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Kështu, në arsyetimin e këtij aktgjykimi i cili është hartuar nga gjyqtari Mentor Bajraktari, thuhet se të akuzuarit Arben Bakalli dhe Agron Gojani, me dashje i kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke i kaluar kompetencat e tyre ngase vendimet të cilat të njëjtit i kanë ndërmarrë kanë qenë në kundërshtim me Planin Urbanistik Revidimi i Kompleksit Orize 1/8 Gjakovë, i cili ishte miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë, dhe ishte ende në fuqi, duke lëshuar leje për kushte ndërtimore dhe leje ndërtimi në zonën ku nuk ishte lejuar ndërtimi, ngase sipas planit të lartcekur në atë zonë ishte paraparë zonë gjelbëruese dhe jo zonë e ndërtimit.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimit theksohet se gjykata ka ardhur në përfundim se me këto vendime të lëshuara nga ana e të akuzuarve Bakalli dhe Gojani, i kanë mundësuar përfitim palës Teuta Bakija, dhe atë përfitim material me rastin e ndërtimit të objektit banesor i cili objekt ekziston edhe sot ngase ky është fakt notor që ekziston ndërtimi banesor në qytetin e Gjakovës, dhe kjo është vërtetuar edhe nga foto-dokumentacioni i cili gjendet në shkresat e kësaj lënde.
Madje, gjykata ka sqaruar se gjatë mbrojtjes së të akuzuarit Agron Gojani, e njëjta nuk ia ka falur besimin për shkak se thjeshtë ka konsideruar se kjo gjë është bërë me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Teksa, në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se gjykata me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin, për të akuzuarit secilin veç e veç konform nenit 73 dhe 74 të KPRK-së, i ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.
Si rrethana rënduese për të akuzuarit Agron Gojani dhe Arben Bakalli, gjykata ka marrë për bazë shkallën e përgjegjësisë penale që të akuzuarit kanë qenë përgjegjës të nivelit të lartë administrativ në institucionin e tyre, të akuzuarit janë mirë të edukuar dhe kanë kuptuar veprimet e tyre dhe pasojat nga veprimet e tyre. Kurse, si rrethana lehtësuese gjykata ndër tjerash kanë marrë për bazë sjelljen e tyre gjatë seancave gjyqësore, qëndrimet tejet korrekte si dhe faktin se nuk ka qenë të dënuar më parë.
Andaj, gjykata ka ardhur në përfundim se me dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve Bakalli dhe Gojani, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë̈ e arkitektit në Drejtorinë për Urbanizëm, edhe pse paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, kishte lëshuar vendim me të cilën kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakija.
Tutje, aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t`u sjellë dobi pasurore, në këtë̈ rast Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit nga Kuvendi Komunal ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë e gjelbër.
Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 parag.1 pika 2.1 të KPRK-së.
Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në komunën e Gjakovës, Arben Bakalli akuzohet se ka keqpërdorur detyrën duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, kur kishte nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakija, e më pas e kishte lëshuar atë̈ vendim për leje ndërtimore.
Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 parag.1 pika 2.1 të KPRK-së.
Drejtësia Sot, ka raportuar edhe më parë për këtë rast
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus