Dje me datë 05.10.2021, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka arrestuar personin M.B., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton Drejtësia Sot.
Sipas komunikatës, Policia e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka arrestuar personin e dyshuar me iniciale M.B., ish-punëtor i Postës së Kosovës, si dhe është kontrolluar shtëpia e tij.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi (dërgesat postare) të pa dorëzuara nga i dyshuari, i cili ka qenë përgjegjës për dorëzimin e tyre tek palët e adresuara gjate kohës sa ka qenë punëtorë i Postës së Kosovës.
Dëshmitë dhe provat e gjetura dhe sekuestruara janë si në vijim: 682 Shkresa të Gjykatës, 512 Fatura të tatimit mbi pronë, 337 Fatura te Valës, 57 Dërgesa Ndërkombëtare, 200 Shkresa të Trustit, 197 Fatura të Bankave, 7 Shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 Dërgesa nga Komuna e Lipjanit, 1 Dërgesë nga AKP, 14 Dërgesa nga Përmbaruesit privat dhe 1 Dërgesë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor.
Në total (2026) dërgesa të ndryshme të pa dorëzuara që i dyshuari kishte obligim t’i dorëzonte tek palët e adresuara në bazë të detyrës së tij zyrtare.
Me këto veprime personi i dyshuar (M.B,) dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar” sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit nga PTH-Prishtinë ka nxjerrë aktvendim me të cilin të dyshuarit M.B., i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
Monitorues Liridon Salihi
Lajmet në fokus