Apeli dëgjon ankesat e palëve për aktvendimin e shkallës së parë ndaj të akuzuarve për krime lufte në Nerodime të Epërme

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Qendresa Ismaili

13:53 / 22 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën e Apelit sot u mbajt seanca e shqyrtimit të ankesave ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, në rastin ku janë dënuar për krime lufte dy persona Zllatan Krstiç dhe Destan Shabanaj, raporton Drejtësia Sot.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte shpallur fajtorë Zllatan Krstiç dhe Destan Shabanaj për krime lufte të periudhës të vitit 1999 në Nerodimet e Epërme të Komunës së Ferizajit.

Ndaj këtij vendimi kishin paraqitur ankesa si Prokuroria Speciale po ashtu edhe avokatët mbrojtës bashkë me të pandehurit dhe avokati i të dëmtuarve.

Prokuroria Speciale ishtë ankuar rreth sanksionit penal duke e cilësuar atë të ulët dhe kishtë kërkuar rritjen e saj. Këtë ankesë e mbështeti në tërësi pala e dëmtuar.

Kurse, avokatët mbrojtës kishin cilësuar dënimin si të lartë dhe njëkohësisht theksuan se asnjëra provë nuk kishte dëshmuar se të pandehurit kishin kryer krimet me të cilat ngarkoheshin.

Kolegji gjykues i përbërë nga kryetari Vaton Dërguti, gjyqtarja referuese Afërdita Bytyqi dhe anëtari Tomislav Pëtrovic, pasi dëgjoi elaborimin e ankesave nga avokatët dhe të pandehurit, mbylli shqyrtimin gjyqësorë dhe njoftoi palët se vendimin do ta pranon në kohë të arsyeshme nga gjykata e shkallës së parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi, i akuzuari Z.K. akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Z.K. me datë 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht të 19 anëtarëve të një familje që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Ndërsa i akuzuari D.Sh, akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civil, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt (IV) të Gjenevës të datës 12 gusht 1949, në ndërlidhje me Protokollet  Shtesë për katër Konventat e Gjenevës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari D.Sh, me 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N. dhe I.R., të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

E me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale Krimet e luftës kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e penalizuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me nenin 146 si Krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevë

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast

Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili