Pranë Gjykatës Themelore në Pejë, në Departamentin e Përgjithshëm, ka përfunduar gjykimi ndaj Agim Rysha, i akuzuar për vepër penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, raporton Drejtësia Sot.
I akuzuari Rysha, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, akuzohej se në cilësinë e Anëtarit të Këshillit Drejtues në Universitetin Haxhi Zeka, në Pejë, edhe pse sipas ligjit ishte i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, në atë mënyrë që me rastin e deklarimit të pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për periudhën prej datën 01.01.2018 e gjer me 31.12.2018, në formularin e deklarimit të datës 25.03.2019, nuk e deklaron saktë shumën e të hyrave të përgjithshme vjetore neto në formular deklaron shumën prej 15,600.00 euro, duke e shmangur shumën e të hyrave prej 2.479.49 euro.
Në shqyrtimin e sotëm gjatë dhënies së fjalës përfundimtare prokurorja Ardiana Veseli, deklaroi se tërhiqet nga aktakuza kundër të akuzuarit Agim Rysha, për shkak se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale të lartcekur.
Sipas prokurores Veseli, nuk ishte kontestues fakti se i pandehuri në cilësinë e anëtarit të këshillit drejtues në Universitetin Haxhi Zeka, në Pejë i kualifikuar si zyrtar publik në bazë të ligjit ka qenë i obliguar ta bëjë deklarimin e pasurisë dhe se të dhënat nga Ministria e Financave nuk ishin në përputhje me të dhënat në formularin për deklarimin e pasurisë nga ana e të pandehuri. Tutje prokurorja deklaroi se një gjë e tillë është vërtetuar edhe nga deklarata e të pandehuri i cili e kishte pranuar që ekziston kjo mos përputhje sa i përket të hyrave të tij por që ishte e pa qëllimshme.
Mirëpo sipas prokurores Veseli, meqenëse gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se këto të hyra kanë qenë avance, rimbursim dhe mëditje nga Universiteti i Pejës dhe të gjitha kanë qenë të qasshme për Ministrin e financave përkatësisht nga thesari i Kosovës, vërehet se nuk ka ekzistuar elementi i dashjes nga i pandehuri Rysha për kryerjen e veprës penale andaj edhe tërhiqet nga aktakuza.
Kësisoj meqenëse prokurorja u tërhoq nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Agim Rysha, gjyqtari i çështjes Shaqë Curri, deklaroi se shqyrtimi gjyqësor përfundoi ndërsa ndaj të akuzuarit merr aktgjykim refuzues.
Monitoruese Selvije MORINA
Lajmet në fokus