25 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes së tij

Gjykata Themelore , Gjilan

Monitoruar nga Ronita Halimi

13:51 / 05 Tetor 2021
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nuhi Mavrovqani, i akuzuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij në Kamenicë, është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 25 vite burgim, raporton Drejtësia Sot.

Dënimin e tillë e ka shqiptuar trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, në përbërje të kryetarit, Sabedin Mushica dhe anëtarëve Agim Ademi dhe Naser Maliqi.

Kujtojmë se në gjykimin e parë, me datën 4 dhjetor të vitit 2020, i akuzuari Mavrovqani ishte dënuar më burgim të përjetshëm nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Ky dënim ishte shqiptuar në kohën kur kryetar i trupit gjykues në këtë çështje penale ka qenë gjyqtari Zyhdi Haziri, i cili tanimë është avancuar në Gjykatën e Apelit.

E pakënaqur me këtë vendim, mbrojtja e të akuzuarit kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila gjykatë duke aprovuar ankesën e tillë por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 4 dhjetor të vitit 2020, dhe ia ka kthyer rastin të njejtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit kishte konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim me dispozitat ligjore. Sipas Apelit nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, me rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i akuzuari Nuhi Mavrovqani me datë 25 korrik, 2020, në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare më parë dhe në ditën kritike, në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje e ka privuar nga jeta anëtaren e familjes, bashkëshorten e tij tani të ndjerën S.M.

Aktakuza sqaron se ata fillimisht janë fjalosur, e më pas i akuzuari ka marr një shufër metalike – me gjatësi 73 cm, dhe tani të ndjerën e godet fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe më pas njëherë në anën e majtë të kokës ku rrëzohet në dysheme, pastaj i pandehuri vazhdon të godas me shufër metalike disa herë në kohë dhe në anën e djathtë të kokës, në fytyrë afër syrit, duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës, të cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse.

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast

Monitoruese: Ronita Halimi