Të katër të akuzuarit G.V, S.P, J.P dhe B.N, për veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, sot dhanë mbrojtjen e tyre pas leximi të provave në Gjykatën Themelore të Gjakovës, njofton Drejtësia Sot.
Gjatë mbrojtjes së tyre të katër të akuzuarit G.V, S.P, B.N, J.P, shpjeguan secili veç e veç ngjarjen e ndodhur në ditën kritike.
I akuzuari G.V i cili është nga Shqipëria, theksoi se arsyjeja e ardhjes së tij në Gjakovë ka qenë nga telefonata që i kishte bërë miku i tij D.A, për shkak të një borxhi që i kanë pasur së bashku me të dëmtuarin Rr.K të akuzuarit G.V.
“Që të dy më kanë pasur borxh mua, Rr.K 1600 euro ndërsa D.A 500 euro”, shtoi G.V.
I akuzuari i dytë S.P, në mbrojtjen e tij deklaroi se gjatë kohës sa ishin në automjetin e tij G.V dhe i dëmtuari Rr.K kanë biseduar rreth një borxhi. Poashtu në atë bisedë ishte përmendur edhe një emër tjetër D.A.
“Paratë janë dhënë në mënyrë normale, jo me dhunë” theksoi i akuzuari S.P.
Pasi dha mbrojtjen i akuzuari i dytë, mbrojtësi i të akuzuarit J.P avokati Muharrem Hoti i propozoi gjykatës që ky shqyrtim të shtyhet për një datë tjetër.
Gjykata e aprovoi propozimin e avokatit Hoti duke e shtyrë shqyrtimin për datën 27 dhjetor të vitit 2019.
Të njejtit vazhdojnë të gjinden në paraburgim që nga 14 maji i vitit 2019.
Kujtojmë se në shqyrtimin e kaluar i dëmtuari Rr.K ka rrefyer ngjarjen e ndodhur në ditën kritike, se si ishte grabitur nën kërcenimin e armëve.
Prokuroria e Gjakovës me datën 29.07.2019 ka ngritur aktakuzë për katër të akuzuarit G.V, S.P, J.P, B.N.
Aktakuza më tutje shpjegon ngjarjen e ndodhur në ditën kritike të datës 14 maj 2019, ku katër të akuzuarit me qëllim që vetit ti sjellin pasuri të kundërligjshme kanë sulmuar të dëmtuarin Rr.K.
Në atë mënyrë që katër të akuzuarit kanë ndarë rolet mes veti, sipas planit të realizuar dy të akuzuarit kanë marrë në stacionin e autobuseve të dëmtuarin Krasniqi, me arsyetimin për ta furnizuar me substanca narkotike. Me makinë janë nisur në drejtim të çabratit ku aty i kanë pritur dy të akuzuarit tjerë. Gjatë rrugës përkatësisht afër kishës, i akuzuari G.V i’a drejton armën të dëmtuarit Rr.K duke i kërkuar të holla, me ç’rast i dëmtuari i dorëzon të hollat në shumë prej 2490 Eurosh. G.V përseri e kontrollon në xhepat e të dëmtuarit Krasniqi ku i gjen edhe një sasi të hollash. Pas marrjes së të hollave të akuzuarit nën kërcenimin e armës e zbresin të dëmtuarin nga makina.
Lidhur me këtë rast Drejtësia Sot ka monitoruar edhe më herët:
Monitoruan: Jeta Vula dhe Qendresa Bytyqi.
Lajmet në fokus