Ka dështuar përsëri të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj A.B, M.I, A.A dhe R.A të cilët akuzohen për shkak të veprave të ndryshme penale si legalizim i përmbajtjes së rreme, dhënie ryshfeti e falsifikim të dokumenteve.
Shkak i shtyrjes së kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të akuzuarit M.I, avokatit Besart Kadriu, ku sipas të akuzuarit është autorizuar për të qenë mbrojtës i tij në këtë çështje penale.
I akuzuari M.I tha se ka angazhuar për mbrojtës avokatin Kadriu, por i njëjti i kishte thënë se nuk është njoftuar për seancën e sotme, dhe se mbrojtësi i kishte sugjeruar që as i akuzuari të mos paraqitet në gjykatë, mirëpo përkundër kësaj i akuzuari kishte ardhur por që deklaroi se nuk është i gatshëm që të vazhdojë pa avokat.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj e njoftoi të akuzuarin se në shkresat e lëndës përkatësisht në seancën e shqyrtimit fillestar nuk ka qenë prezent ndonjë mbrojtës i të akuzuarve, duke përfshirë edhe M.I edhe përkundër njoftimit me të drejtat e zyre ligjore se kanë të drejtë të angazhojnë mbrojtës.
Gjyqtarja po ashtu tha se i akuzuari M.I me parashtresën e datës 07.08.2019 personalisht kishte paraqitur kundërshtimin për hedhjen e aktakuzës pa e shfrytëzuar të drejtën që të ketë mbrojtës, dhe në shkresa nuk është gjetur se ka ndonjë autorizim për angazhim të avokatit Besart Kadriu.
E nga shtyrja e shqyrtimit gjyqësor u revoltua i akuzuari A.B, i cili tha se ky shqyrtim po shtyhet disa herë. Ndër të tjera ai u shpreh: “Për seanca tjera ska kush që më bjen as me tenka.”.
Lidhur me këto deklarime gjyqtarja Mekaj i tërheqi vërejtjen duke i thënë që të përmbahet dhe të përmbahet se si sillet në seancë. Por përkundër kësaj i akuzuari tha se do ti matin forcat.
E gjithë kjo ngjarje u zhvillua në prezencë edhe të prokurorit të shtetit Shkëlzen Ibrahimi, të cilit gjyqtarja i tha se duhet që të ndërmarrin masat e duhura lidhur sjelljet e të akuzuarit, ndërsa prokurori tha që gjyqtarja ti drejtohet me shkrim prokurorisë.
Shqyrtimi i radhës u caktuar për datën 27 dhe 28 janar 2020.
Në seancën e datës 2 gusht 2019, gjyqtarja Nushe Kuka – Mekaj, e ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarit F.I ndërsa ndaj të akuzuarve A.F, M.F ,R.B ,G.K dhe H.K gjykata e ka hedhë aktakuzën për shkak se është arritur parashkrimi i veprave penale.
Sipas aktakuzës së datës 31 maj 2018, të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari A.B me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do ti fsheh provat e veprës së kryer penale. Ashtu që në kafeterinë “Rozafa” në Lipjan, me dëshirë që pas dështimit të të akuzuarit A.F, për të kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë, gjë që ka arritur duke ia lëshuar Vërtetimin nga Administrata Qendrore e UP-së, me datë 05 tetor 2011, si student në vitin akademik 2011/12.
Pastaj në aktakuzë thuhet se është formuar dosja dhe indexi me numër të njejtë për çka i akuzuari ka marrë shumën prej 3.000 euro në shtëpinë e vet nga i akuzuari F.I. Për këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale ndihmë në marrjen e ryshfetit.
Tutje sipas aktakuzës A.B dhe M.I në ditën e pacaktuar të muajit nëntor 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, së bashku kanë kërkuar dhe marrë nga e akuzuara R.B, shumën prej 5.000 euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP, gjatë vitit akademik 2012/13. Duke i premtuar se përmes autoritetit dhe emrit të ish-Ministrit të Arsimit Ramë Buja, do i nxisin personat zyrtar të këtij fakulteti, tani për tani të paidentifikuar, që e njëjta të regjistrohet në këtë fakultet pa i respektuar dhe zbatuar procedurat ligjore të regjistrimit të parapara me konkursin shpallur publik.
Të njëjtit, në ditën e pacaktuar të muajit shkurt 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë, së bashku me dashje kanë nxitur të akuzuarën H.K, që të dorëzoj shumën prej 2.000.00 euro, duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale – nga kontrata si asistente e angazhuar e Kimisë Analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë. Për këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje” për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Gjithmonë sipas aktakuzës, A.B, R.A dhe A.A, thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë, përmes dokumentit të falsifikuar. Ku në shkurt të vitit 2014, të akuzuarit A.B dhe R.A, me vetëdije e kanë dërguar indexin e të akuzuarit A.A , te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, L.B, kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja. Këto veprime i kanë bërë me dëshirë, e që pas disa vitesh dështimi A.A ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që A.A, nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014.
Gjithashtu R.A e A.A, nga Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, S.Z, kanë kërkuar index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të akuzuarit A.A, është iniciuar procedura disiplinore. Për këto veprime, prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.
Monitoruese: Biondina ZENELI
Lajmet në fokus