Që nga muaji shkurt i vitit 2016, Prokuroria Themelore në Gjilan rëndon akuzën për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit Valon (Hesat) Shefkiu, si dhe inspektorëve të ndërtimit në komunën e Gjilanit Merita (Avdi) Shabani, Shkëndije (Ragip) Hajdini, dhe Baki (Qerim) Azemi.
Lidhur me këtë rast, sot në gjykatën e Gjilanit palët dorëzuan me shkrim fjalën përfundimtare të tyre, duke e elaboruar atë shkurtimisht para trupit gjykues dhe të pranishmit në sallë.
Prokurori Arben Kadriu, gjatë fjalës së tij përfundimtare mes tjerash tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur, duke konsideruar që është vërtetuar gjendja faktike se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Prokurori Kadriu, i propozoi trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Agim Ademi, që të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe t’i dënoj sipas ligjit.
Në seancën e sotme gjyqësore, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i komunës së Gjilanit Arben Mehmeti, i cili tha se mbetet në tërësi pranë fjalës së dhënë në shqyrtimin fillestar dhe theksoi se i bashkangjitet ndjekjes penale dhe se do të parashtroj kërkesë pasurore për kompenzimin e dëmit ndaj komunës.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve gjatë fjalës përfundimtare hodhi poshtë pretendimet e prokurorit Kadriu. Avokatët Masar Morina, Shemsedin Pira, Ymer Huruglica, dhe Mustafë Musa, thanë se nuk është vërtetuar me asnjë provë të vetme se të akuzuarit kanë kryer vepër penale, dhe kërkuan nga trupi gjykues që të njejtit t’i shpallë përsëri të pafajshëm dhe t’i lirojë nga akuza.
Për më tepër avokati Masar Morina, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Baki Azemi, tha se të akuzuarit në këtë rast nuk janë kryerës të veprës penale por viktima, dhe se për ato akuza që pretendon prokuroria gishtin duhet drejtuar tjetërkund.
Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet me datë 4 dhjetor në ora 08:20 minuta.
Ndryshe Gjykata Themelore në Gjilan në mungesë të provave, të akuzuarit dy herë i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka liruar nga akuza.
Ndaj vendimit të dytë lirues të gjykatës së Gjilanit të datës 8 qershor 2018, prokuroria kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe e njëjta kishte vendosur që ta kthejë përsëri këtë rast në rigjykim dhe rivendosje.
Ky rast është duke u gjykuar për të tretën herë me rradhë në gjykatën e Gjilanit, njofton “Drejtësia Sot”.
Së fundi, me vendimin e datës 22 nëntor 2018, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast përsëri në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi siç thuhet në vendimin e Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe të plota si dhe ka nxjerrë konkludime të gabuara për faktet vendimtare lidhur me lirimin e të akuzuarve.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2016, të akuzuarit në cilësinë e inspektorëve, gjatë vitit 2013-2014 nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.
Të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat e komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.
Njëri nga objektet i përfshirë në aktakuzë është objekti i HIB-petrol i cili gjendet në fshatin Shillovë në komunën e Gjilanit.
“Drejtësia Sot” në vazhdimësi ka monitoruar këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus