Mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani ka bërë që në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të mos mbahet seanca gjyqësore ndaj ish – inspektorit të ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit Nexhmedin Qani Musliu i lindur më 07.03.1973.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Ajser Skenderi, deklaroi se gjykatësi Osmani për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore gjendet në pushim mjekësor, raporton Drejtësia Sot.
Ndryshe, në seancën e së hënës të pranishëm ishin prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Nexhmedin Musliu, me mbrojtësit e tij avokatët Gent dhe Blend Gjini, si dhe dëshmitarët S.V dhe N.K.
Anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Skenderi seancën e radhës e ka caktuar për datën 14 janar 2020 në ora 10:00, ku palët janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj.
I pandehuri akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare që i është besuar me ligj, ashtu që gjatë periudhës kohore 2016-2017, nuk kishte ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.
“Drejtësia Sot” raporton se sipas aktakuzës së prokurorisë themelore të Prizrenit të cilën e përfaqëson Prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Nexhmedin Musliu akuzohet se në periudhën kohore, 2016 / 2017 në Prizren në cilësinë e personit zyrtar – inspektor komunal i ndërtimit në Prizren duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij e zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, respektivisht sipas aktakuzës për investitorët “Kastrati Comerce” me pronar N.K dhe investitori “Coneng” me pronar S.V.
Aktakuza thotë se Nexhmedin Musliu nuk ka ndërmarr konkluzione për rrënimin e katit të 8 tetë të kompleksit ndërtimor Kastrati Comerc në lagjen “Jeta e re” i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7, ku investitori ka ndërtuar një kat pa leje.
Sipas aktakuzës Nexhmedin Musliu ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në rrugën Rexhep Bajraktari, të bëhet ndërtimi edhe të tre kateve shtesë pa leje firmës “Coneng” me pronar S.V, e që kishte leje për dy kate P+B+2, me ç’rast mundëson dobim 3 tre kate në etazhitet të objektit për investitorin e firmës “Coneng”.
Me këto veprime Prokuroria konsideron se Nexhmedin Musliu ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Drejtësia Sot.
Monitorues: Lorik KABASHI
Lajmet në fokus