Mungesa e të akuzuarit Petrit Gjoka, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj ish-vozitësve të AKP-së të akuzuar për korrupsion, raporton Drejtësia sot.
Abdurrahim (Murat) Avdyli i lindur më 1976, Amir (Haki) Demolli i lindur më 1975, Arsim (Hamit) Leci i lindur më 1978, Ejup (Ramush) Gashi i lindur më 1969 dhe Istref (Qerim) Dragusha i lindur më 1969, po akuzohen se si vozitës në AKP kishin siguruar fatura fiktive për derivatet e automjeteve zyrtare të AKP-së me qëllim të përfitim të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Së bashku me zyrtarët e këtij institucioni, të akuzuar janë edhe dy punëtorët e “Fer Petrol” Nexhat dhe Petrit Gjoka, nën dyshimin se si punëtor të kësaj pompe kanë ndihmuar të lartëcekurit në kryerjen e këtyre veprave penale.
Me të filluar seanca e sotme, i akuzuari Nexhat Gjoka, njoftoi trupin gjykues në krye me gjyqtarin Naser Foniqi, për mungesën e të akuzuarit Petrit.
Sipas tij, arsye e mungesës është gjendja jo e mirë shëndetësore pasi që ai gjindet i shtrirë në spital.
Meqenëse nuk pati kushte ligjore për të proceduar në këtë seance, e njejta është shtyer për datën 22 janar 2020.
Ndryshe, sipas aktakuzës, këta persona derisa ishin duke e kryer punën e vozitësit, me qëllim të përfitimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që kanë siguruar fatura fiktive për derivatet e automjeteve zyrtare të AKP-së. Të akuzuarit dyshohet së kanë prezentuar fatura fiktive gjoja për mbushje me derivate edhe në ditët e vikendit dhe gjatë festave zyrtare, edhe pse ky institucion nuk ka punuar fare.
Më tutje sipas prokurorisë, dyshohet se këto fatura i kanë paraqitur para anëtarëve të komisionit për verifikimin e faturave për furnizimin me derivate, që në menyrë rotative si anëtar kanë qenë secili prej tyre.
Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me datë 28 korrik 2018, pasi sipas saj aktgjykimi i shkallës së parë ishte i paqëndrueshëm, i pakuptueshëm dhe i mangët dhe se nuk ishte kryer ekspertiza financiare, nga e cila do të konstatohej dëmi i shkaktuar AKP-së.
Gjykata Themelore në Prishtinë, me 18 prill 2017, të akuzuarit Abdurrahim Avdyli, Petrit dhe Nexhat Gjoka, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, dhe secilit veç e veç i kishte shqiptuar dënim më gjobë në shumë prej 2.000 euro. Ndërsa, të akuzuarit Amir Demolli, Arsim Leci, Ejup Gashi dhe Istref Dragusha, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza.
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus